E kërkon Alvaro Rekoba, futbollisti i Flamurtarit pranë firmës me klubin e ri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 2, 2026 | 23:10

E kërkon Alvaro Rekoba, futbollisti i Flamurtarit pranë firmës me klubin e ri

Klubi i Flamurtarit do të bëjë disa largime gjatë merkatos së janarit, duel i dhënë lamtumirën lojtarëve të cilët nuk kanë përmbushur pritshmëritë në klubin vlonjat apo nuk duan të jenë më pjesë e tij. Një nga emrat e larguar është anësori i sulmit venezuelan, Heiderber Ramirez.

ramirez

Futbollisti në fakt ishte një lojtar i cili luajti rregullisht në pjesën e parë të sezonit, duke luajtur 13 ndeshje e shënuar një gol. Por prania e tij e fundit në fushë ishte më 8 dhjetor ndaj Dinamos, për t’u zhdukur më pas nga radhët e vlonjateve pasi nuk ishte më pjesë e grumbullimeve për ndeshjet.

Lojtari ka kërkuar largimin nga vlonjatet dhe duket se 23-vjeçari do të kthehet në Venezuelë për të vazhduar karrierën e tij. Klubi që e kërkon futbollistin mësohet se është Deportivo Takira, një prej më të njohurve në vend. Ai që ka kërkuar shërbimet e futbollistit të Flamurtarit është një emër i njohur i futbollit ndërkombëtar, ish-sulmuesi uruguaian Alvaro Rekoba, i cili është aktualisht trajner i 11 herë kampionëve të Venezuelës.

Palët janë në bisedime për prishjen e kontratës së Ramirez, për të mundësuar transferimin e tij te klubi venezuelan në ditët e para të janarit, pasi ai e cilëson të mbyllur etapën e tij me vlonjatët në futbollin shqiptar.

PANORAMASPORT.AL