E kërkojnë dy klube të Kategorisë së Parë, sulmuesi i Dinamos nuk ka dyshime për të ardhmen
Merkatoja e dimrit mbetet shpresa e vetme për shumë ekipe për të ndryshuar kursin e pjesës së parë të sezonit. Megjithatë, siç dihet, vështirësitë janë të shumta, sidomos në gjetjen e lojtarëve të duhur, cilësorë dhe pa angazhime kontraktuale.
Për këtë arsye, disa klube po synojnë edhe huazime, kryesisht të futbollistëve që nuk kanë gjetur shumë hapësira te ekipet ku aktivizohen aktualisht. Jo vetëm Kategoria e Parë, por në tërësi futbolli shqiptar po vuan mungesën e një “numri 9” tipik, një sulmuesi që garanton gola dhe bën diferencën. Kjo ka shtyrë shumë skuadra që në merkaton e dimrit të përqendrohen pikërisht te reparti ofensiv, në përpjekje për të realizuar objektivat sezonalë, qoftë mbijetesën, qoftë luftën për zonat e sipërme të renditjes. Skuadrat e Kategorisë së Parë janë aktive në kërkim të përforcimeve dhe, në listën e emrave të dëshiruar, janë futbollistë që e njohin mirë këtë kategori.
Një prej tyre është Florenc Farruku, sulmuesi 24-vjeçar nga Mati, i cili ka spikatur më parë me fanellën e Burrelit dhe që këtë sezon është pjesë e Dinamos. Burime pranë merkatos bëjnë me dije se Farruku është shënjestruar, kryesisht në formë huazimi deri në fund të sezonit, nga skuadra si Lushnja, Luftëtari dhe ndonjë tjetër. Megjithatë, marrja e tij duket praktikisht e pamundur. Vetë lojtari ka qenë i prerë dhe i qartë për të ardhmen e tij, kur është pyetur për interesimin e klubeve të Kategorisë së Parë.
“Nuk lëviz nga Dinamo”, ka deklaruar ai për gazetën Panorama Sport.
Kjo do të thotë se nuk bëhet fjalë për një rikthim të sulmuesit matjan në Kategorinë e Parë, të paktën jo në këtë merkato dimri. Në këto kushte, klubet që kishin futur emrin e Farrukut në listën e përforcimeve të mundshme dimërore janë të detyruara ta fshijnë atë dhe të orientohen drejt alternativave të tjera.
Merkatoja mbetet e hapur dhe dinamike, por gjetja e një sulmuesi të besueshëm vijon të jetë sfida më e madhe për ekipet e Kategorisë së Parë në këtë fazë të sezonit. Lushnja dhe Luftëtari janë të përfshira në luftën për mbijetesë, ndaj shpresat e shpëtimit varen nga përforcimet e janarit. Më problemtike situta ëhstë te gjirokastritët, që janë të parafundit me 11 pikë, 5 më pak se Lushnja e vendit të 10-të.
PANORAMASPORT.AL













