Dy versionet e renditjes së klubeve të Kategorisë së Parë/ Skënderbeu, skuadra që dominon si brenda dhe në transferta
Pas përfundimit të 17 javëve të para të Kate gorisë së Parë, një vështrim i veçantë mbi renditjen duke llogaritur vetëm ndeshjet e luajtura në shtëpi nxjerr në pah qartë se sa vendimtare ka qenë fusha për shumë skuadra.

Disa ekipe kanë ndërtuar thuajse të gjithë rrugëtimin e tyre pozitiv para tifozëve të vet, ndërsa të tjerë kanë zhgënjyer edhe në ambientin e tyre. Në krye të kësaj renditjeje qëndron Skënderbeu, i cili ka shfrytëzuar maksimalisht stadiumin e vet. Korçarët kanë zhvilluar 8 ndeshje në shtëpi, duke fituar 7 prej tyre dhe duke pësuar vetëm një humbje. Me 21 pikë dhe golavarazh 18-7, Skënderbeu konfirmohet si skuadra më solide në ndeshjet shtëpiake.
Menjëherë pas tij renditet Kastrioti, një tjetër ekip që ka bërë diferencën në shtëpi. Krutanët janë ende të pamposhtur në 9 takime, me 5 fitore dhe 4 barazime, duke grumbulluar 19 pikë dhe duke treguar stabilitet të admirueshëm para tifozëve të vet. Në vendin e tretë pozicionohet Laçi, me 18 pikë në 8 ndeshje shtëpiake, falë 5 fitoreve, 3 barazimeve dhe vetëm një humbjeje. Kurbinasit vijojnë të mbeten një skuadër e vështirë për t’u mposhtur në stadiumin e tyre. Besa dhe Pogradeci ndjekin më pas, me rendiment të mirë në shtëpi.
Kavajasit kanë marrë 16 pikë në 9 ndeshje, ndërsa Pogradeci 14 pikë në 8 takime, duke ruajtur një ekuilibër mes fazës sulmuese dhe asaj mbrojtëse. Në mesin e tabelës pozicionohen Burreli, Iliria dhe Korabi, skuadra që kanë marrë pikë të rëndësishme në shtëpi, por pa arritur të krijojnë një diferencë të madhe. Të trija kanë treguar luhatje në rezultate, çka reflektohet edhe në renditje. Në pjesën e poshtme të tabelës, situata bëhet më shqetësuese për disa ekipe. Apolonia dhe Lushnja nuk kanë arritur ta shfrytëzojnë sa duhet avantazhin e fushës.

Verdhejeshilët e Lushnjës, në veçanti, kanë grumbulluar vetëm 9 pikë në 8 ndeshje shtëpiake, një shifër e ulët për një skuadër me ambicie më të mëdha. Akoma më problematike paraqitet gjendja e Kukësit dhe sidomos e Luftëtarit, që mbyll renditjen e ndeshjeve në shtëpi me vetëm 3 pikë në 9 takime, pa asnjë fitore. Një bilanc që shpjegon qartë vështirësitë e gjirokastritëve në këtë sezon. Kjo renditje tregon qartë se, pas 17 javësh, fusha vazhdon të mbetet një faktor kyç në Kategorinë e Parë. Për disa skuadra ajo ka qenë një armë e fortë, ndërsa për të tjera një avantazh i shpërdoruar, që mund të peshojë shumë në garën për objektivat sezonale në javët që vijnë.
POZICIONIMI VETËM ME NDESHJET JASHTË
Pas 17 javësh kampionat në Kategorinë e Parë, analiza e renditjes duke marrë në konsideratë vetëm ndeshjet e zhvilluara në transferta nxjerr në pah skuadrat që kanë ditur të marrin maksimumin larg fushës së tyre, si edhe ato që kanë hasur vështirësi të mëdha jashtë shtëpisë. Në krye të kësaj renditjeje qëndron sërish Skënderbeu, i cili konfirmohet si skuadra më konstante e kampionatit. Korçarët kanë zhvilluar 9 ndeshje në transferta, duke regjistruar 6 fitore, 1 barazim dhe vetëm 2 humbje.

Me 19 pikë të grumbulluara dhe golavarazh pozitiv 14-9, Skënderbeu dëshmon se është një ekip i ndërtuar për të fituar kudo. Në vendin e dytë pozicionohet Pogradeci, një nga surprizat e këtij sezoni. Liqenorët kanë marrë 18 pikë në 9 transferta, falë 5 fitoreve, 3 barazimeve dhe vetëm 1 humbjeje, duke treguar personalitet dhe efikasitet larg tifozëve të vet. Podiumin e mbyll Laçi, që ka grumbulluar 15 pikë në 9 ndeshje jashtë fushe. Kurbinasit kanë qenë të balancuar në transferta, me 4 fitore, 3 barazime dhe 2 humbje, duke mbajtur veten në garë për zonat e larta të tabelës.
Pas tyre vjen Apolonia, e cila ka zhvilluar 8 ndeshje jashtë, duke marrë 11 pikë dhe duke treguar një stabilitet relativ në transferta. Iliria renditet në mesin e tabelës, me 10 pikë në 9 takime, ndërsa Burreli ka hasur vështirësi më të mëdha, duke pësuar më shumë gola sesa ka shënuar. Në pjesën e poshtme të renditjes, Korabi dhe Luftëtari kanë arritur të marrin disa pikë të rëndësishme jashtë fushe, por pa pasur vazhdimësi. Lushnja ka grumbulluar vetëm 7 pikë në 9 transferta, një bilanc që shpjegon edhe pozicionin e vështirë të verdhejeshilëve në renditjen e përgjithshme. Situata bëhet edhe më problematike për Besën, Kastriotin dhe sidomos për Kukësin.
Verilindorët mbyllin tabelën e transfertime me vetëm 1 pikë në 8 ndeshje, pa asnjë fitore, duke treguar se ndeshjet jashtë fushe kanë qenë një pengesë serioze në këtë sezon. Kjo renditje e transfertimeve pas 17 javësh tregon qartë se skuadrat që kanë synime serioze për ngjitje apo për pozicione të larta janë ato që kanë ditur të marrin pikë edhe larg stadiumit të tyre. Në Kategorinë e Parë, siç dëshmojnë shifrat, suksesi nuk ndërtohet vetëm në shtëpi, por mbi të gjitha në transferta.
PANORAMASPORT.AL













