Dy skuadrat më të shtrenjta në treg/ Partizani e Flamurtari me vlerësime të larta, të dobëta në rezultate

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 15, 2025 | 23:16

Dy skuadrat më të shtrenjta në treg/ Partizani e Flamurtari me vlerësime të larta, të dobëta në rezultate

Flamurtari dhe Partizani do të luajnë një prej dueleve më interesante të dielën. Takimi i javës së shtatë të Superiores i gjen të dy ekipet duke ndarë vendet e fundit të Superiores. Partizani ka vetëm 2 pikë më tepër se Flamurtari, që mbyll renditjen e kampionatit shqiptar.

Partizani-Flamurtari

Paradoski qëndron te vlerësimet në treg nga “Transfermarkt”, që Partizani dhe Flamurtari kanë. Të kuqtë kanë një kontingjent me më tepër se 30 lojtarë, ndërsa vlerësimi në total paraqitet 6.63 milionë euro. Në anën tjetër ndodhet Flamurtari, që pas merkatos së bujshme mban vlerën 6.28 milionë euro.

PARTIZANI- Të kuqtë larguan një pjesë të madhe të ekipit, që në muajin maj. Zëvendësimet e tyre dhe plotësimi i ekipit filloi në qershor, ndërsa vazhdoi deri në shtator. Partizani kapi në fund vlerën 6.63 milionë euro. Për shkak të numrit të lartë të lojtarëve, mbi 30 që llogariten për ekipin e parë, vlera mesatare për futbollist qëndron 189 mijë euro.

FLAMURTARI- Një ekip dalloi ndër të tjerë në elitën e futbollit shqiptar, për merkaton e konsideruar të bujshme në letër. Bëhet fjalë për Flamurtarin, që afroi disa futbollistë me vlerë të lartë për Superioren. Vlonjatët për një moment mbanin vendin e parë në treg, ndërsa tashmë pozicionohen të dytët. Vlera e tyre është 6.28 milionë euro.

Mestarja e vlerësimit për futbollist është dukshëm më e lartë se e Partizanit, pasi qëndron 232 mijë euro. Më e larta e Superiores pas skuadrës së Egnatias. Këto të fundit, ndryshe nga Partizani apo Flamurtari janë treguar më të kujdesshëm në afrimin e lojtarëve. Bëhet fjalë vetëm për 22 lojtarë nën urdhrat e trajnerit Edlir Tetova, kur flasim për shifra.

VLERËSIMI- Duke qenë se zhgënjimet janë të mëdha, nuk do të jetë çudi nëse vlerat e reja të “Transfermarkt” të sjellin ndryshime te Partizani dhe Flamurtari. Të dyja megjithatë nuk kanë gjetur stabilitet, përsa i përket formacionet.

Karlos Garsia dallonte për ndryshimet, që përsa i përket rreshtimit. Në anën tjetër Milinkoviç nuk pati asnjëherë vetëm një formacion të besuar te Partizani. Ky i fundit dallon me 25 lojtarët e përdorur gjashtë javëve të Superiore. Ndryshe është edhe numri më i lartë, nëse krahasohet me rivalët e tjerë.

MË I RI DHE MË I VJETËR- Partizani ka kontingjentin më të ri në Superiore. Mosha mesatare qëndron 23.5 vjeç. Vetëm portieri dhe kapiteni Alban Hoxha, është futbollisti me moshën mbi 30 vjeç. Një pasqyrë krejt tjetër është te Flamurtari. Mosha mesatare e kuqezinjve për futbollin qëndron 27.1 vjeç. Asnjë klub tjetër nuk e ka më të lartë.

EMANUEL LOCI – PANORAMASPORT.AL