Dy humbje radhazi në kampionat, por Bylisi nuk dorëzohet
Disfata në Rrogozhinë nuk ishte menduar nga ballshiotët me ato shifra dhe me sa duket, fusha e Egnatias është kthyer në ters për mallakastriotët. Kanë pasur pretendime, për mënyrën e dhënies së të kuqes, por edhe në golin e dytë të vendasve, mallakastriotët kanë pretenduar dhe kërkuar pozicion të parregullt!

Djemtë e Josës kanë nisur stërvitjen për sfidën e radhës më Dinamo, madje që të diel kanë qenë në Ballsh një pjesë e tyre. Kanë luajtur me skuadrën B, ndaj Delvinës pjesa më e madhe e atyre që nuk luajtën, duke nisur që nga Beqaj, Abazaj, Emini, Sulovari, Pjeshka, Igor, Gabi, Gjuzi, Buraneli, Idrisu, apo dhe Runi, Mustafa, Akibu, Animashun, Hodo. Stafi ballshiot ka ndjekur sfidë e ekipit të dytë me delvinjotët, në interes edhe të elementëve të sipërpërmendur, teksa është bërë me dije se ekipi do të bashkohej dje dhe me grup të plotë të niste grumbullimin anti-Dinamo.
Ndeshje mjaft delikate për mallakastriotët, të cilët kanë edhe mungesa të rëndësishme sië u pa edhe në Rrogozhinë, ku janë larg formës edhe Kamara, që qëndroi në Ballsh me stërvitje individuale apo dhe Ofori. Dy disfatat radhazi, me Flamurtarin dhe kjo në Rrogozhninë duket se kanë bërë që pozitat e klubit mallakastriot të mos jenë edhe aq komode në tabelën e renditjes, teksa tashmë janë të fokusuar te ndeshja me blutë. Ndonëse arritën që të siguronin dy fitore radhazi, si asnjëherë këtë sezon, ndaj Vorës dhe Tiranës, ballshiotët nuk kanë arritur që të kenë stabilitet si skuadër dhe shfaqin oshilacione.
Dinamon, skuadra e Bylisit e ka mundur vjet në Ballsh, por tashmë historia është ndryshe, me dy ekipet që kanë pësuar shumë ndryshime. Një tjetër duel i fortë, me një tjetër rival kryesor për titullin, ndërsa te Bylisi synojnë rezultat pozitiv, për të mos lëshuar terren në tabelën e renditjes. Në tri javë të luajtura të fazës së dytë, ballshiotët kanë vetëm 3 pikë, ndërsa janë shumë pak në lidhje me pritshmëritë që ata kanë pasur. Ballshiotët provuan që të luajnë dhe me 3-4 sulmues në Rrogozhinë, madje skuadra reagoi në momente të caktuara, por ishte larg rrugës së rrjetës. Megjithatë, ballshiotët pas tri transfertave radhazi, rikthehen në shtëpinë e tyre dhe duke nisur nga kjo javë, në duelin e shtëpisë me Dinamon, do të kërkojnë rezultat pozitiv.
ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL













