Dy francezët e Tiranës në shitje, bardheblutë duan 500 mijë euro

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 5, 2025 | 9:16

Dy francezët e Tiranës në shitje, bardheblutë duan 500 mijë euro

Në Kategorinë Superiore apo në Kategorinë e Parë, Tirana ka vendosur që të shesë yjet e skuadrës në merkaton e radhës.TIRANAAADy janë lojtarët që mund të largohen në një destinacion të ri. Bëhet fjalë për Mahamadu Dembelenë dhe Ualid Zharmunin. I pari është një nga lojtarët më cilësorë të mbrojtjes, ndërsa i dyti golashënuesi i skuadrës. Dembele kërkohet në Austri, Turqi, si dhe ka interesim nga skuadrat skandinave.

E njëjta situatë është edhe për Zharmuninë. Futbollisti ka pasur oferta nga kampionati turk dhe Tirana nuk dëshiron që të humbasë sulmuesin pa bërë një sezon me bardheblutë. Vlera e Zharmunit është 300 mijë euro, ndërsa ajo e Dembelesë 250 mijë euro. Tirana kërkon që të marrë të paktën 500 mijë euro nga ky operacion. Do të shihet edhe situata e Ermal Metës që në verë u bllokua nga drejtuesit për t’u shitur në Ukrainë, pasi skuadra bardheblu kërkonte më shumë pará nga ekipi i huaj.

SHIFRAT – Zharmuni ka 25 takime me Tiranën, ka shënuar shtatë herë, ndërsa në fushën e lojës ka qenë 1834 minuta. Francezi është golashënuesi më i mirë i skuadrës. Përsa i përket Dembelesë, ky i fundit mes kampionatit dhe Europës ka 27 lojëra, një gol dhe 2106 minuta.

JANARI – Në janar, drejtuesit e Tiranës kishin në tavolinë tre oferta për Ualid Zharmunin, Edison Kolën dhe Mahamadu Dembelenë. Për lojtarin e parë, i cili është edhe golashënuesi i skuadrës, kishte një ofertë nga Danimarka. Për të, u dhanë 100 mijë euro, por klubi refuzoi ofertën paraprake të danezëve. Për Edison Kolën, pati një interesim nga Turqia. Dembeleja kërkohej nga Hartbergu, që jepte rreth 200 mijë euro. Bardheblutë nuk pranuan të arkëtonin rreth 400-500 mijë euro dhe të mbushin llogaritë bankare. Në janar ishte e pamundur të gjendej si mbrojtës dhe sulmues cilësor dhe shitja do të zbrazte organikën e ekipit.

LARGIMI I VETËM – Tirana dhe Bolonja ranë dakord në janar për transferimin e Jordi Jakut. Ai u shit për 300 mijë euro. Futbollisti kishte vlerën e kartonit 200 mijë euro dhe ishte vetëm 18 vjeç. Skuadra bardheblu arriti të merrte vetëm një të tretën e parave në dorë, ndërsa pjesa tjetër do të shpërndahet sipas bonuseve kontraktuale.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL