Dy faza perfekte, “komandant” Bregu udhëheq “nëndetësen”
Dejvi Bregu po kalon një moment shumë të mirë në karrierën e tij dhe duket se e ka marrë për dore skuadrën e Dinamos drejt objektivave që klubi ka. nga java në javë, Bregu po kthehet në protagonist absolut me skuadrën e Dinamos dhe golat e asistent e tij, kanë qenë të shumtë duke i dhënë pikë e gjithashtu duke i forcuar pozitat në klasifikim.

Bregu ka qenë lojtari më efikas i Dinamos në këtë sezon të ri, e padyshim që një nga lojtarët më të mirë të sezonit. Pavarësisht se nuk luan si sulmues qendre, Bregu është aktualisht golashënuesi më i mirë në skuadër e njëkohësisht, një nga golashënuesit më të mirë në kampionatin shqiptar.
Bregu ka shënuar këtë sezon 7 gola dhe është në vendin e dytë së bashku me Tsaguen e Elbasanit dhe ka vetëm 3 gola më pak se Bekim Balaj që udhëheq listën e golashënuesve. Por, veç golave të shënuar që natyrisht janë të shumtë, Bregu ka qenë protagonist edhe me asiste për skuadrën e tij dhe në 18 javët e para, vlonjati ka dhënë 4 asiste për shokët e skuadrës. Kështu, në 27 golat që Dinamo ka shënuar deri më tani, Bregu ka marrë pjesë në 11 prej tyre.
SEZONI I KALUAR- Dejvi Bregu është shumë pranë rekordit të vjetshëm, ku kishte shënuar 10 gola. Sulmuesit më të mirë në skuadër, ishin Itodo dhe Zabërgja me nga 12 gola ndërkohë që Bregu e ka mundësinë që të kalojë këto shifra duke qenë se ka shënuar 7 gola në gjysmën e kampionatit, kur para ka edhe gjysmën tjetër. Në dy fazat e para, skuadra e Dinamos ka shfaqur oshilacione dhe natyrisht rezultatet pozitive shpesh herë kanë munguar, megjithatë Bregu ka ditur të reagojë mirë, duke marrë skuadrën për dore e duke e ndihmuar jo pak në kalimin e krizave që mund të ketë pasur.
PANORAMASPORT.AL













