“Duhet ta kishim “vrarë” ndeshjen me Flamurtarin”, Tabeku: Ky është futbolli, Tirana ndryshon që këtë javë
Serxh Tabeku është optimist se Tirana do të ndryshojë. Bardheblutë u ndalën në një barazim 1-1 në ndeshjen e fundit, një rezultat që nuk i kënaq plotësisht tifozët bardheblu, por që nga ana tjetër tregon se skuadra është ende në proces ndërtimi.
Një nga lojtarët që mori përgjegjësi për të folur pas ndeshjes ishte Serxh Tabeku, i cili dha mesazhe të qarta optimizmi dhe besimi për të ardhmen. Lojtari shënoi golin e parë, ndërsa pati mundësi për t’i dhënë fitoren bardhebluve. I pyetur për golin e shënuar dhe pësuar dhe faktin që skuadra nuk arriti të marrë fitoren, Tabeku ka mendimin e tij. “Ky është futbolli. Janë ndeshjet e para, kemi trajner të ri dhe është normale të ketë vështirësi. Rezultati 1-1 është pjesë e rrugës që kemi përpara. Duhet të mësojmë nga çdo gabim, por nuk kemi arsye për panik”, tha ai.
PËRGATITJA – Tabeku e vuri theksin te puna e përditshme, duke u shprehur se ekipi do të rritet gradualisht.
“Javën tjetër do të punojmë fort në stërvitje. Qëllimi është që e gjithë skuadra të shënojë dhe të fitojmë. Nuk ka sekret tjetër përveç punës. Unë edhe në stërvitje shënoj gola dhe besoj se kjo energji do të kthehet në fushë, në ndeshjet zyrtare”, deklaroi belgu. Ai shtoi se grupi po lidhet çdo ditë e më shumë dhe se harmonia është një pikë e fortë e kësaj Tirane.
“Skuadra është mirë, atmosfera është e shëndetshme. Të gjithë jemi të motivuar, besojmë tek njëri-tjetri dhe te projekti i ri. Është vetëm fillimi, por jam i bindur që shumë shpejt do të shohim rezultate edhe më të mira”, vazhdoi Tabeku.
ROLI NË FUSHË – I pyetur për pozicionin e tij të preferuar, Tabeku nuk hezitoi të tregojë fleksibilitetin e tij. “Jam gati të luaj në çdo pozicion që i shërben ekipit, por normalisht ndihem më mirë si lojtar krahu. Aty mund të përdor shpejtësinë dhe kreativitetin tim për të ndihmuar skuadrën. Për mua më e rëndësishme është që Tirana të fitojë, jo ku luaj unë”, deklaroi sulmuesi.
Tirana është në fazën e ndërtimit të një projekti të ri dhe fjalët e Serxh Tabekut pasqyrojnë qartë besimin e lojtarëve te puna që po bëhet. Për të rinj si ai, këto ndeshje janë prova të vlefshme për të treguar se kanë personalitet dhe dëshirë të bëhen pjesë e historisë bardheblu.
OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL













