Drejtori i Skënderbeut me “SMS” të koduar për rivalët: Nuk do t’u dalin llogaritë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 19, 2025 | 12:42

Drejtori i Skënderbeut me “SMS” të koduar për rivalët: Nuk do t’u dalin llogaritë

Humbja me Tiranën ka sjellë zhgënjim të madh te Skënderbeu, që priste të rihapte garën në atë ndeshje, duke ngushtuar diferencën me rivalët e mbijetesës. Ajo disfatë tashmë ka trazuar jo pak ujërat në kampin bardhekuq, jo vetëm se vështirëson objektivin, por edhe për mënyrën si u pësua.

ardi gjanci

Drejtuesit e ekipit korçar e kanë konsideruar të pamerituar humbjen, në raport me lojën që u zhvillua në fushë. Trajneri Gjoka dhe drejtori sportiv Gjançi kanë shprehur pakënaqësi në lidhje me gjykimin. Nëse trajneri Gjoka u ankua për mungesën e një penalltie në favor dhe dhënien e asaj kundër, drejtori Ardi Gjançi ka shkuar edhe më tej.

Me një postim në profilin e tij zyrtar ai akuzon për plane të ngritura kundër Skënderbeut, teksa specifikon se llogaritë nuk kanë për të dalë ashtu siç e mendojnë palët e treta. Ai nuk e përmend “palën” e akuzuar me emër, por aludon për makinacione në dëm të bardhekuqve. “Llogaritë nuk kanë për t’u dalë kaq kollaj. Mos harroni, ne jemi Skënderbeu. Deri në fund”, shkruan drejtori sportiv i ekipit juglindor në profilin e tij. Një mesazh i koduar ky nga ana e drejtuesit të klubit bardhekuq, por që mund të kuptohet lehtë se është për rivalët e korçarëve.

HESHTJA – Pas humbjes me Tiranën, ekipi ka filluar punën për ndeshjen e radhës ndaj Egnatias në shtëpi. Ky 90-minutësh mund të vendosë shumëçka për fatin e sezonit te bardhekuqtë, në kombinim me rezultatet e tjera.

Vetëm fitorja bën punë për Skënderbeun, që përballë kampionëve në fuqi do ta ketë jo pak të vështirë. Drejtuesit e klubit duan që lojtarët të jenë sa më të përqendruar te ndeshja e së shtunës dhe kanë vendosur heshtje shtypi. Askush nuk do të flasë për këtë sfidë, përveç trajnerit Ernest Gjoka një ditë para saj.

Kjo situatë vjen me qëllimin për ta mbajtur ekipin sa më larg presioneve. Korçarët në fakt kanë marrë edhe një lumë akuzash nga ana e tifozëve pas shitjes në Kazakistan të Mario Rabiut, një lojtar shumë i rëndësishëm për Skënderbeun. Largimi i tij është quajtur i pavend, duke parë pozicionin kur ndodhet ekipi, që ka më shumë se kurrë nevojë për cilësi dhe angazhim maksimal nga grupi i futbollistëve.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL