Drama e 9 minutave, si u braktis ndeshja dhe u rikthye Tirana/ Qëndrim Ismajli bën “Didier Drogba” në Elbasan
Elbasani – Tirana ka rezultuar shpesh një ndeshje që ka tensionin dhe rivalitetin brenda, pavarësisht pozitave që kanë në renditje. Shkak, është rivaliteti i para 20 viteve kur luftonin për titull kampion, ndaj edhe mbrëmë pritej të ishte e tensionuar, sidomos në tribuna.

Mirëpo, vëmendjen këtë herë e morën episodet në fushë. Një penallti e kontestuar nga miqtë që solli edhe barazimin e vendasve solli revoltën e braktisjes së ndeshjes. Gjatë kohës që diskutohej penalltia dhe pa u gjuajtur ende, një pjesëtar i klubit bardheblu afrohet me celular në vesh për te lojtarët dhe diçka i komunikon. Pasi shënohet goli ata braktisnin ndeshjen, pasi mesa duket të tilla kanë qenë direktivat nga “lart”.
Qëndrojnë në dhoma për afro 9 minuta, ndërsa negociatat vazhdojnë dhe të vetëdijshëm për pasojat që e presin, skuadra rikthehet në fushë dhe deri në fund të saj nuk ka më probleme. Ndërsa Qëndrim Ismajli i Tiranës vepron si Didier Drogba në vitin 2009 gjatë Çeli-Barcelona. Ai i drejtohet kamerave pas penalltisë së akorduar nga gjyqtari Laver Alla për vendasit në Elbasani-Tirana 1-1, duke bërë me duar: “Mbyllni gjithçka”.
– Gjyqtari në fillim po shihte nëse ishte gjithçka në rregull për të nisur ndeshjen dhe po hezitonte disi. Sakaq, Serxho Vogli i Tiranës po pyeste shokët e skuadrës nëse ishin gati.
– Në minutën e 17-të ultrasit e Elbasanit thumbojnë ata të Tiranës, të cilët nuk kishin ardhur ende në stadium. “Ku janë miushat”?, pyesnin me ironi verdheblutë.
– Numri i tifozëve ishte diku tek rreth 4000 të pranishëm, edhe pse pritshmëritë e elbasanasve ishin për më shumë. Mes tyre nuk munguan deputetët e Elbasanit Sara Mile dhe Adi Qose.
– Duke iu druajtur ndonjë incidenti të mundshëm mes tifozerive, pat një numër më të madh të forcave policore, që qëndruan edhe brenda në stadium.
– Në minutën e 26-të, trajneri i Tiranës, Ardijan Nuhihu, nuk është dakord me një vendim të kryesorit për një faull të të tijve në sulm dhe kërkon llogari.
– Përsëritet historia me orën në stadium, e cila brenda 45 minutave “ha” disa sekonda për shkak të problemeve dhe që bëhet mollë sherri mes tifozëve dhe lojtarëve të Elbasanit me arbitrin. Ata i kërkojnë llogari pse u mbyll para kohe, ndërsa Alla me të drejtë i tregonte orën e tij që e kishte mbyllur në kohë.
– Në minutën e 49-të është koha e flakadanëve dhe tymueseve. Tifozët e Elbasanit ishin “armatosur” mirë, duke i ndezur ato dhe krijuar një spektakël, njëkohësisht edhe re tymi.
– Mesfushori i Elbasanit, Isi Manellari, ka probleme me këpucët. Në minutën e 71’ detyrohet t’i ndërrojë. Si për ironi, pas këtij momenti vjen penalltia e vendasve.
– U duk se Tirana nuk do ta kishte mbështetjen e ultrasve në këtë ndeshje, por nuk ndodhi kështu. Ata i ka zënë trafiku rrugës dhe vetëm në minutat e fundit mbërrijnë në stadium. Edhe pse për pak minuta aty u përpoqën të mbështesin ekipin, ndërsa nuk munguan as thumbimet në distancë me tifozët kundërshtarë.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL













