“Dora e trajnerit po ndihet”, Laluci: Flamurtari duhet të jetë më agresiv në sulm
Fitorja me Bylisin dhe pushimi i kampionatit i kanë dhënë qetësi Flamurtarit. Për ishdrejtorin e klubit, Vangjel Laluci, në takimin e fundit skuadra bëri detyrën. Për “Panorama Sport”, Laluci thekson se aktivizimi i Diavarasë në pjesën e dytë ndryshoi skuadrën.

“Ndeshja me Bylisin ishte një ndeshje inkurajuese për ekipin, por edhe për ne si sportdashës. Ishte një ndeshje shumë e rëndësishme për ne. Pozicioni ishte me shumë presion dhe detyrimisht do të futesh me frikë dhe me ekuilibër.
Do të studiosh dhe ku qëndron kundërshtari. Në pjesën e parë ne kishim më tepër topin në zotërim që studionim kundërshtarin. Nuk rrezikuam në këtë pjesë. Por në pjesën e dytë trajneri futi Diavaranë dhe ishte pozitiv. Ishte një pjesë e dytë ndryshe dhe ndeshja mund të përfundonte edhe 2-0”, shprehet fillimisht Laluci.
DOBËSITË- Ish-drejtori i klubit, Vangjel Laluci, thekson se Flamurtari nuk prodhon gola dhe duhet të rregullojë në mënyrë urgjente ofensivën. Ai apelon që skuadra të ketë iniciativën që të godasë më shumë në portë. “Duhet që ta godasim më shumë portën dhe të kemi më shumë goditje sulmuese, pasi të gjithë treguesit i kemi negativë, në pikë po, por edhe në gola. Kemi pësuar shumë gola, edhe aksidentalisht, por disa janë edhe fëmijënorë. Por një ekip që nuk sulmon, që nuk shënon, atëherë është një pikëpyetje e madhe.
Themi që Vllaznia ka sulmin më të mirë, po ka bërë 18 gola, kurse ne 9 gola. Kemi një problem. Ka ikur faza e parë dhe ka filluar e dyta, dhe një fazë ne na ka vajtur… e mbyllëm me dy pikë, të mos harrojmë. Është e kaluar ajo, por kjo duhet të na shërbejë që ne, në këtë kohë që kemi përpara, të mos humbim kohë. Shenjat janë të mira, siç ishte ndeshja me Elbasanin, me Bylisin, me Vllazninë. E vërteta është që ndihet edhe dora e trajnerit.
Lojtarët po përgjigjen. Ka pasur shpirt gare, shpirt sakrifice, por a është ky ekipi që duam? Normalisht që duhet të bëjmë shumë më tepër. Por më pëlqen ky trajner pasi di se ku duhet të vërë dorë. Të paktën me këto që unë kam parë. Për efekt të kohës nuk kemi bërë automatizimin mes reparteve”, thotë ish-drejtori.
DY FINALE – Ndeshjet me Tiranën dhe me Vorën që do të luhen në Vlorë duhet të fitohen. Laluci thotë se 6 pikët në vijim janë vendimtare për vazhdimësinë e skuadrës. “Këto dy ndeshje duhet të jemi pragmatistë. Nuk më duhet mua lojë e bukur, lojë e keqe. Mua më duhen tri pikët. Po morëm këto 6 pikë, jemi tjetër nivel dhe lojtarët rriten edhe nga mentaliteti. Unë besoj që ne do ta realizojmë këtë. Këto ndeshje na kanë dhënë leksionin e parë që ne të besojmë atë që pretendojmë.
Me gjendjen që jemi ne, na duhen pikët. Këto dy ndeshje duhet që t’i fitojmë me doemos, pasi shkojmë 14 pikë dhe atëherë ne jemi në mes të tabelës dhe pastaj flasim ndryshe. Ekipi ka qetësi dhe me pushimin e kombëtares, ekipi do të ndryshojë. Ne duhet ta mbajmë stekën lart në stërvitje dhe në mentalitet.
Pasi në Superligën shqiptare ka një varfëri golash përveç Vllaznisë. Të gjitha ekipet po tregohen pragmatike. Ja çfarë ndodhi me Teutën dhe Partizanin. Nuk është ai Partizan që ne njohim, por e ktheu. Pra shikoni si ndryshojnë gjërat. Duhet të kenë qëndrueshmëri, karakter dhe të mos vetëkënaqen se jemi në ditë të hallit. Të luftojmë shumë fort. Tiranën e kemi kundërshtar direkt dhe nuk duhet që ta diskutojmë fitoren”, përfundon Laluci.
ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL













