“Do të jemi surpriza e kampionatit”, Fasllagiç: Vora merr pikët para me Tiranën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 29, 2025 | 21:14

“Do të jemi surpriza e kampionatit”, Fasllagiç: Vora merr pikët para me Tiranën

Vora vijon përgatitjet për ndeshjen e radhës, teksa janë shtuar edhe telashet e para në kampin shëndetësor. Dy futbollistë, nga më të mirët e skuadrës vorake, nuk mund të vazhdojnë kampionatin për afro 6 javë. Qendërsulmuesi Ruzgis dhe mesfushori Hasaj do të jenë larg fushës së lojës. Lituanezo-gjermani Ruzgis u dëmtua një javë para se të niste kampionati, ndërsa Hasaj u dëmtua rëndë në ndeshjen hapëse kundër Partizanit.

FASLLAGIC

Kështu që dhimbjet e kokës për Bellain kanë nisur pa nisur mirë kampionati. Gjithsesi, Vora ka bërë një merkato të shkëlqyer, ku të gjitha rolet janë të dubluara e kështu si titullarë po përgatiten futbollistët zëvendësues. Ruzgis po zëvendësohet, ndoshta jo në atë pritshmëri, nga braziliani Luis Felipe, ndërsa për Hasajn trajneri Bellai po mendon që të vendosë dublantin e ardhur nga Maqedonia, Enis Fasllagiç.

25-vjeçari, i lindur në një fshat pranë Shkupit (Veles), është një futbollist që ka fituar përvojë në kampionatin polak, duke luajtur me ekipe si Visla Krakova e Gornik Leczna, apo në Sllovaki me Dunajska Sreda e MSK Zilina, dhe pritet që me Tiranën të jetë edhe prova e parë e tij. Lidhur me takimin kundër Tiranës dhe debutimin e tij, morëm një prononcim të shkurtër nga futbollisti i kombëtares maqedonase të të gjitha moshave, që nga U-15 deri tek U-21, Enis Fasllagiç.

“Që në ardhjen time te Vora e kam menduar se ekipi do të jetë një surprizë për shumë ekipe të elitës shqiptare. Ndoshta me Partizanin ishte hera e parë që disa prej lojtarëve të Vorës prezantoheshin në një kampionat elite, por besoj se në ndeshjen e dytë do të luftojmë për pikë, pasi jemi njohur edhe me ndeshjet elitare.

Ka disa vite që unë shoqërohem shumë me shqiptarë dhe më duket vetja më shumë shqiptar, pasi kam luajtur pak kohë edhe me Shkëndijën e Tetovës. Dua që ekipi i Vorës të bëjë më të mirën e mundshme këtë sezon të parë dhe të fitojë përvojën e duhur, për t’u sjellë njëlloj si skuadrat e tjera me emër në këtë kategori”, ka deklaruar mesfushori shkatërrues i Vorës, Enis Fasllagiç.

A. DUSHKU- PANORAMASPORT.AL