Disa lojtarë në fund kontrate, organika do jetë më e reduktuar te Partizani
Me mbylljen e sezonit, te Partizani kanë nisur menjëherë lëvizjet për ndërtimin e skuadrës së sezonit të ardhshëm, me drejtuesit që synojnë të mos përsërisin gabimet e edicionit që sapo përfundoi. Të kuqtë e mbyllën kampionatin në vendin e pestë dhe jashtë “Final Four”, duke mos arritur objektivin kryesor të klubit, ndërsa rezultatet negative të fazës së katërt ndikuan ndjeshëm në bilancin përfundimtar të ekipit.

Një nga problemet që ndikoi më shumë gjatë sezonit ishte edhe mungesa e stabilitetit në pankinë. Partizani ndërroi disa trajnerë gjatë kampionatit dhe kjo solli luhatje të shumta në rezultate, por edhe në aspektin psikologjik të skuadrës. Për këtë arsye, drejtuesit duan që këtë herë të tregohen më të kujdesshëm në përzgjedhjen e trajnerit të ri, duke synuar një profi l që të ketë më shumë vazhdimësi dhe qartësi në projekt. Fillimisht, presidenti Gazment Demi dhe drejtori sportiv Agim Ibraimi do të fokusohen te zgjedhja e trajnerit që do të marrë drejtimin e skuadrës për sezonin e ardhshëm.
Bisedimet kanë nisur prej kohësh dhe në listën e alternativave ndodhet emri i Julian Ahmatajt, i cili pëlqehet për eksperiencën e tij në futbollin shqiptar dhe për mënyrën e punës me grupin. Ndërkohë, drejtuesit po shqyrtojnë edhe pista të huaja dhe një nga emrat që pëlqehet shumë është ai i një trajneri spanjoll, i cili shihet si një alternativë interesante për projektin e ri të klubit.
Gjithsesi, për momentin nuk është marrë ende një vendim përfundimtar dhe në klub pritet të analizohen me kujdes të gjitha opsionet para se të zyrtarizohet trajneri i ri. Pas vendimit për pankinën, vëmendja do të kalojë te ndërtimi i organikës. Në skuadër ka disa futbollistë që janë në fund të kontratës dhe e ardhmja e tyre mbetet ende e paqartë. Për disa prej tyre pritet të ketë largime, ndërsa për të tjerë drejtuesit do të vendosin në bashkëpunim me trajnerin e ri. Një tjetër objektiv i klubit është edhe krijimi i një organike më të balancuar. Në sezonin që u mbyll, Partizani kishte mbi 30 lojtarë në dispozicion dhe kjo krijoi jo pak probleme në menaxhimin e grupit.
Në shumë raste pati pakënaqësi për minutazhin dhe hapësirat në ekip, ndërsa trajnerët e kishin të vështirë të ruanin ekuilibrat në dhomat e zhveshjes. Për këtë arsye, drejtuesit synojnë që në sezonin e ardhshëm të ndërtojnë një skuadër më të konsoliduar, me më pak lojtarë, por me më shumë cilësi dhe konkurrencë në çdo repart. Ideja është që Partizani të krijojë një grup më kompakt dhe më të qartë në role, në mënyrë që ekipi të ketë më shumë stabilitet gjatë gjithë sezonit.
PANORAMASPORT.AL













