Dinamo shihet si favorite, rikthime të rëndësishme te blutë. Si pritet formacioni anti-Egnatia
Sot në orën 19:00, do të luhet finalja e Kupës së Shqipërisë, ku Dinamo do të presë në “Air Albania” skuadrën e Egnatias.

Në fakt, ishte planifikuar që të ishte një stadium asnjëanës që në fillim të sezonit, por për blutë ka rezultuar zgjedhje me fat duke qenë se luan në shtëpi, ashtu siç ishte edhe sezonin e shkuar në “Elbasan Arena”, stadium në të cilin Dinamo luante gjatë sezonit. Dy skuadrat kanë bërë një rrugëtim shumë pozitiv në Kupën e Shqipërisë edhe pse në kampionat kanë shfaqur oshilacione të shumta. Gara për titullin kampion në Superiore pritet të jetë e pamundur, ku për Dinamon është në kufijë e së pamundurës ndërsa për Egnatian në anën tjetër, është diçka më e besueshme, gjithmonë nëse do të ketë surpriza në “Final 4”.
KUOTAT- Sa i përket sfidës, Dinamo shihet më e favorizuar nga kompanitë e huaja të basteve dhe për fitoren e “nëndetëses” brenda 90 minutave, është kuotuar me koeficiente që variojnë nga 1.7 deri në 1.9. Diçka më shumë është kuotuar fitorja e Egnatias, e cila varion nga 4, deri në 4.6 ndërkohë që barazimi në 90 minuta, është nga 2.9 deri në 3.9. Megjithatë, këto janë vlera që shpesh herë nuk tregojnë asgjë duke qenë se ndeshje të tilla, janë vendosur vetëm nga momente dhe në dy finalet e mëparshme, Dinamo ka fituar një herë me penallti ndaj rrogozhinasve dhe një herë tjetër ka arritur të marrë trofeun me përmbysje, duke e mundur në Tiranë me rezultatin 3-1.
FORMACIONI- Sa i përket formacionit, Daja ka rikthime të rëndësishme ku jashtë mbeten vetëm Teikseira dhe Mustafa teksa pjesa tjetër është e plotë. Kështu, në portë pritet Teqja, i cili do të ndihmohet nga Nani e Neziri në krahë ndërsa në qendër do të jetë dyshja Beqja me Alijin pasi Dita nuk është ende në 100%-shin e tij. Në mesfushë, pritet që Qefalija, Qardaku e Malomo të marrin fanella titullari, për të ndihmuar treshen e sulmit që do të përbëhet nga Bregu e Berisha në krahë dhe në qendër do të jetë sulmuesi Saliu Guindo.

PANORAMASPORT.AL













