Dinamo për të tretën, Egnatia bie nëpër finale! Nesër do të luhet finalja e Kupës së Shqipërisë në Tiranë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 12, 2026 | 8:25

Dinamo për të tretën, Egnatia bie nëpër finale! Nesër do të luhet finalja e Kupës së Shqipërisë në Tiranë

Të mërkurën do të luhet finalja e madhe e Kupës së Shqipërisë, ku Dinamo do të përballet me Egnatian. Takimi është planifikuar të luhet në stadiumin “Air Albania”, duke nisur nga ora 19:00, finale kjo e treta radhazi mes dy skuadrave.

dinamo

Blutë e drejtuar nga Daja janë aktualisht fituesit në fuqi të Kupës së Shqipërisë dhe në takimin e nesërm, do të kërkojnë që të konfirmohen si kampionë edhe për një vit tjetër, teksa nga ana tjetër, rrogozhinasit kërkojnë të rikthehen te trofeu. Të dyja ekipet, kanë bërë një sezon me oshilacione dhe shanset për titull, janë minimale edhe pse për rrogozhinasit, llogaritë janë të hapura ndërsa nga ana tjetër, Dinamo e ka thuajse të pamundur.

HISTORIA– Dy skuadrat kanë qenë padyshim dy nga ekipet më në formë të sezoneve të fundit. Vitin e shkuar, luhej finalja e Kupës në “Elbasan Arena”, aty ku blutë u rikthyen në një finale pas shumë vitesh mungesë ndërkohë që nga ana tjetër, rrogozhinasit vinin me petkun e fituesit duke qenë se vetëm një vit më parë, patën fituar kundër Kukësit. Sa i përket takimit, blutë ishin më me fat duke qenë se koha e rregullt dhe shtesat u mbyllën në barazim mes dy ekipeve dhe nga “ruleta ruse”, kryeqytetasit u treguan më të saktë duke shënuar një fitore historike që i riktheu te trofeu pas shumë vitesh zhgënjime, dështime dhe sezonesh të vështira në Kategorinë e Parë. Vetëm pak muaj më vonë, dy skuadrat u përballën edhe një herë tjetër por këtë herë ishte Superkupa e Shqipërisë.

Egnatia që fitoi titullin kampion dhe Dinamo si fituese e Kupës, u përballën në “Air Albania” mes tyre, ku u duk se gjërat do të shkonin ndryshe këtë herë, por në fakt jo. Egantia kaloi e para në avantazh duke shënuar shumë shpejt pas fillimit të takimit, por vendësit e Dinamos arritën të reagonin shumë mirë në pjesën e dytë për të marrë fitoren e dytë radhazi në finale me rezultatin 3-1. Ashtu si në Kupën e Shqipërisë që zbritën nga froni skuadrën rrogozhinase, ashtu edhe në Superkupë, Dinamo e bëri Egnatian që të merrte parashtesën “ish”- edhe për këtë trofe. Të mërkurën, mbetet të shihet se cila nga skuadrat do të arrijë të triumfojë, Egnatia për të marrë hak apo Dinamo për të arkivuar trofeun e tretë brenda një sezoni dhe të tretin radhazi kundër një skuadre si Egnatia, që ka dominuar futbollin shqiptar në vitet e fundit.

ECURIA NË KAMPIONAT- Sezonin e shkuar, Egnatia e mbyllte kampionatin në vendin e parë të sezonit të rregullt dhe më vonë shpallej kampione e Shqipërisë për herë të dytë radhazi. Nga ana tjetër, Dinamo e mbylli kampionatin në vendin e dytë teksa në “Final 4”, u eliminua nga Vllaznia në “Air Albania” në një sfidë që prodhoi shumë polemika dhe kishte tension për shkak të gjykimit. Situata ka qenë ndryshe në të dyja kampet këtë sezon duke qenë se skuadrat kanë shfaqur oshilacione të shumta dhe humbjet e barazimet, kanë qenë për rekord. Pasi ka përfunduar kampionati i rregullt, Egnatia e sheh veten në vendin e tretë në klasifikim ndërkohë që Dinamo nga ana tjetër, është e renditur në vendin e katërt dhe shanset për titull janë thuajse zero. Të dyja skuadrat janë përballur katër herë mes tyre këtë sezon futbollistik në kampionat, me një takim të mbyllur barazim si edhe 2 fitore nga Egnatia. Takimi i fundit mes tyre, u mbyll me fitoren e Dinamos, teksa përballja e pestë ishte ajo e Superkupës, e luajtur në muajin dhjetor në kryeqytet.

ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL