Dinamo për rekord! Pas pushimeve të verës, djeg edhe të Vitit të Ri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 26, 2025 | 20:31

Dinamo për rekord! Pas pushimeve të verës, djeg edhe të Vitit të Ri

Dinamo ka qenë skuadra për rekord për sa i përket ndeshjeve që ka zhvilluar në një vit kalendarik, duke marrë parasysh këtu edhe ndeshjet që “nëndetësja” do të ketë deri në fund të sezonit. Së bashku me Egnatian që aktualisht mban petkun e kampiones së Shqipërisë, dy skuadrat do ta mbyllin vitin me plot 50 ndeshje.

dinamo

Dinamo e ka nisur vitin në datën 10 janar, duke u mundur nga Bylisi me rezultatin 2-1, e më pas ka shkuar deri në finale të Kupës së Shqipërisë, ku edhe arriti që ta fitonte. Me përfundimin e sezonit, Dinamo shkoi deri në “Final 4”, aty ku u eliminua megjithatë zhvilloi kundër Partizanit finalen e vogël për vendin e tretë e të katërt, duke zënë një vend në Kupat e Europës.

Në verë, Dinamo u angazhua në Ligën e Konferencës, aty ku fati e deshi që në turin e parë të mos luante ndeshje, ndërkohë që arriti të luante 3 ture të tjera, duke u eliminuar në Play Off nga Jagiellonia. Në sezonin e ri futbollistik, Dinamo me Egnatian do të luajnë një ndeshje më shumë se të tjerat, pasi në datën 28 dhjetor, është planifikuar finalja e Superkupës së Shqipërisë, duke mos iu dhënë mundësi lojtarëve që të kenë pushim as për fundvitin.

Sa i përket skuadrave të tjera në këtë listë, kanë më pak ndeshje për faktin se jo të gjitha kanë shkuar deri në “Final 4”, por edhe ato që kanë shkuar, janë eliminuar shpejt nga Liga e Konferencës, ndërkohë që kryeqytetasve ua rrit numrin e ndeshjeve edhe Kupa e Shqipërisë dhe Superkupa e Republikës. Nga 10 janari deri në datën 24 dhjetor kur edhe do të mbyllet viti kalendarik për futbollin në Shqipëri, Dinamo do të ketë në total 36 ndeshje vetëm në Superiore, teksa 2 të tjera janë në Final 4.

“Nëndetësja” ka gjithashtu 6 ndeshje në Ligën e Konferencës dhe 6 ndeshje të tjera në Kupën e Shqipërisë. I vetmi pushim tashmë për Dinamon, do të jetë vetëm pauza e Kombëtareve në tetor dhe nëntor, aty ku Shqipëria luan në kualifikueset e Botërorit.

PANORAMASPORT.AL