Dinamo e Ilir Dajës shënon më pak se vjet, por blindon mbrojtjen
Dinamo e këtij sezoni ka pasur paraqitje të ndryshme dhe shpesh herë ka shfaqur oshilacione, megjithatë blutë nuk kanë humbur terren dhe janë në katërshen më të mirë të kampionatit. Për të gjitha skuadrat e Superiores, natyrisht që objektivi fillestar është që të jetë në “Final 4” për të pasur mundësinë e titullit, ndërkohë që këtë vit ndryshon formula dhe natyrisht që çdo pikë e grumbulluar në kampionat, do të ndihmojë më shumë në fund të sezonit kur pikët të përgjysmohen dhe skuadrat të nisin “minikampionatin” mes tyre.

SEZONI AKTUAL- Në 20 javët e para, Dinamo ka arritur të grumbullojë 33 pikë dhe e sheh veten në vendin e katërt. Aktualisht, blutë janë 5 pikë më pak se vendi i parë, teksa ka arritur të krijojë një diferencë prej 7 pikësh nga Teuta e vendit të pestë që në fakt është në një moment krize dhe nuk është duke arritur që të shqetësojë skuadrat e kreut. Javën e ardhshme, Dinamo ka një përballje direkte me Elbasanin e më pas, do të ketë disa ndeshje më të lehta në letër, pasi nuk ka më përballje direkte, deri para fundit të fazës së tretë kur do të ketë Egnatian rival të “Final 4”. Deri atë ndeshje, Dinamo do të ketë mundësi të grumbullojë pikë e më pas të kërkojë konfirmim ndaj kampionëve në fuqi, megjithëse këtë sezon të gjitha skuadrat kanë treguar se janë të gjendje të marrin fitore ndaj cilësdo skuadër, pa pasur parasysh emrin e kundërshtarit apo pozitat në klasifikim.
SEZONI I SHKUAR- Nëse hedhim një sy nga sezoni i shkuar, Dinamo është thuajse në të njëjtat kushte, por i vetmi ndryshim është klasifikimi. Pas 20 javëve të sezonit të shkuar, Dinamo ishte në vendin e dytë me 34 pikë, vetëm një pikë më shumë se këtë sezon por diferenca me vendin e parë ishte vetëm te golaverazhi. Partizani ishte kryesues asokohe me 34 pikë, por me më pak gola të shënuar. Nëse krahasojmë paraqitjet e skuadrave, Dinamo këtë sezon ka shënuar më pak se sezonin e shkuar pasi pas 20 javëve, kishte 30 gola kundrejt 27 të tillëve që ka shënuar këtë sezon.
Por, trajneri Daja ka konsoliduar repartin e mbrojtjes edhe pse mungesat janë të shumta në atë repart. Dinamo ka pësuar plot 8 gola më pak se një vit më parë, duke qenë se aktualisht janë vetëm 14 gola të pësuar ndërkohë që sezonin e shkuar kishte të pësuar 22 gola në këtë pikë të kampionatit. Ashtu si në fazën e dytë, edhe këtë fazë Dinamo ka pasur të njëjtin start në kampionat. Blutë e drejtuar nga Daja barazuan pa gola në sfidën e parë ndaj Teutës dhe e humbën të dytën ndaj Vllaznisë. Ndryshe nga java e 11 ku Dinamo u mund 0-1 në Shkodër, këtë herë ishte një humbje në shtëpi me rezultatin 0-2, që solli pakënaqësi të shumta edhe për shkak të paraqitjes që Dinamo bëri. Ndërkohë, problem mbeten mungesat e shumta për shkak dëmtimi dhe te blutë shpresojnë që me rikthimin e lojtarëve, do të kthehet edhe loja bindëse dhe rezultatet pozitive.
PANORAMASPORT.AL













