Dinamo bind në derbi, 5 finale për objektivat. Blutë rikthehen në “Elbasan Arena”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 13, 2026 | 9:10

Dinamo bind në derbi, 5 finale për objektivat. Blutë rikthehen në “Elbasan Arena”

Dinamo arriti të rikthehet te golat e shënuar dhe te fitoret, duke marrë një rezultat pozitiv ndaj Tiranës në Kupën e Shqipërisë.dinamo

Të besuarit e Dajës bënë një paraqitje mjaft të mirë ndaj bardhebluve dhe këtë nuk e tregon vetëm fitorja 0- 2, por edhe rastet e krijuara dhe rrjedhshmëria që kishin në 90 minutat e së mërkurës. Të besuarit e Dajës duket se pak nga pak po e lënë pas momentin e keq që kishin në kampionat dhe tani duhet përqendrim më i madh për të vazhduar me ecurinë pozitive në javët e ardhshme, të cilat mund të përcaktojnë shumë gjëra për të ardhmen e Dinamos në kampionat. Kalendari ëhstë i ngjeshur dhe skuadra nuk ka shumë kohë për të festuar apo pushuar, pasi ndeshja e radhës në kampionat është shumë afër. Të dielën, Dinamo do të rikthehet në fushë për të luajtur ndeshjen e radhës në kampionat ndaj Flamurtarit, ku do të synohet fitorja e parë në kampionat për këtë vit të ri kalendarik, pasi e fundit është para Vitit të Ri.

FLAMURTARI- Të dielën, blutë do të përballen me Flamurtarin dhe në letër duken favoritë, duke parë natyrisht edhe paraqitjet që dy skuadrat kanë dhuruar këtë sezon, së bashku me rezultatet apo edhe objektivat që kanë. Në dy ndeshjet e para të kampionatit, Dinamo ka fituar pa shumë vështirësi ndaj Flamurtarit dhe ka arritur të marrë dy fitore të rëndësishme. Kjo është ndeshja e tretë mes tyre për këtë sezon dhe si për ironi të fatit, do të luhet në stadiumin e tretë. Ndeshja e parë mes tyre u zhvilluar në “Selman Stërmasi”, teksa në fazën e dytë ishte Flamurtari skuadra pritëse në Vlorë, pasi stadiumi i restauruar ishte gati dhe sërish Dinamo triumfoi. Këtë fazë, ndeshja do të zhvillohet në një tjetër stadium dhe është “Elbasan Arena”, stadiumi që do të mirëpresë këtë takim, ku dy skuadrat synojnë fitoren. Dinamo i ka zhvilluar ndeshjet e saj në “Air Albania” deri më tani, por të dielën është planifikuar të luhet derbi mes Partizanit dhe Tiranës në “Air Albania”, duke bërë që Dinamo të detyrohet për të ndërruar stadium, duke u rikthyer në Elbasan pas shumë muajsh.

KALENDARI- Dinamo ka në kalendar edhe pesë ndeshje të rëndësishme deri në fund të fazës së tretë dhe rezultatet e marra deri më tani, sidomos në Superiore, nuk i japin mundësi bluve që të hedhin hapa të gabuar. Skuadra e Dajës duhet të marrë maksimumin duke filluar që nga kjo javë kundër Flamurtarit, pasi hendeku me skuadrat e kreut është i madh dhe nuk mund të lejohet që kjo diferencë të thellohet edhe më shumë. Nga ana tjetër, Partizani duket se ka ndryshuar dhe nga java në javë, është duke u konsoliduar dhe është tashmë një nga skuadrat rivale për një vend në “Final 4” dhe të kuqtë janë pikërisht skuadra me të cilën Dinamo përballet në javën e fundit të fazës. Pas Flamurtarit, Dinamo do të përballet me Egnatian në transfertë, e më pas do të ketë sërish një transfertë, kësaj radhe kundër Vorës. Pas Vorës, Dinamo do të përballet me Tiranën në ndeshjen e kthimit të Kupës së Shqipërisë, aty ku i duhet të menaxhojë rezultatin e ndeshjes së parë pas fitores 0-2. Pas derbit me Tiranën, blutë luajnë sfidën e fundit të fazës me Partizanin, kësaj here me Dinamon që është vendëse.

ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL