Dilema “Skuka”, mungesa ndjehet së tepërmi te Partizani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 30, 2026 | 13:43

Dilema “Skuka”, mungesa ndjehet së tepërmi te Partizani

Xhuliano Skuka vijon të mbetet mungesa më e madhe për Partizanin në këtë moment delikat të sezonit, aty ku të kuqtë po luftojnë fort për të siguruar vendin e katërt dhe pjesëmarrjen në zonën “Final Four”, objektivi minimal që ka mbetur për skuadrën në këto javë të fundit të kampionatit. Sulmuesi i të kuqve, edhe pse ndryshe nga ndeshjet e tjera ishte pjesë e skuadrës në derbin ndaj Tiranës, nuk mundi të aktivizohej për shkak të problemeve fizike që vazhdojnë ta mbajnë larg formës së tij më të mirë dhe që kanë penalizuar jo pak repartin ofensiv të ekipit.

SKUKA

Mungesa e Skukës është ndier ndjeshëm në javët e fundit, sidomos në një periudhë ku Partizani ka vuajtur shumë në fazën sulmuese dhe ka pasur vështirësi të mëdha në finalizimin e rasteve të krijuara, duke humbur pikë të rëndësishme në garën për “Final Four”. Te Partizani e konsiderojnë rikthimin e tij si një element shumë të rëndësishëm për skuadrën, jo vetëm për cilësitë që sulmuesi ka para porte, por edhe për eksperiencën dhe lidershipin që ai sjell në momente të vështira si ky fund sezoni.

Tashmë mbetet për t’u parë nëse Skuka do t’ia dalë të jetë gati për sfidën e radhës ndaj Flamurtarit, një ndeshje shumë e rëndësishme për Partizanin, ku fitorja konsiderohet detyrim për të mbajtur gjallë shpresat për vendin e katërt dhe për të mos humbur më terren ndaj rivalëve direkt. Nëse sulmuesi do të arrijë të zbresë në fushë, kjo do të ishte një ndihmë e madhe për të kuqtë, pasi bëhet fjalë për një lojtar që ka ditur shpesh të bëjë diferencën në ndeshjet vendimtare dhe që mbetet një nga pikat më të forta të repartit ofensiv.

Edhe vetë bilanci i këtij sezoni ndaj Flamurtarit e konfirmon këtë, pasi Skuka ka gjetur rrugën e rrjetës pikërisht përballë vlonjatëve, duke shënuar një gol në fitoren 2-1 të Partizanit në fazën e dytë të kampionatit, një sukses shumë i rëndësishëm për ecurinë e skuadrës në atë moment. Kështu, rikthimi i tij mund të jetë vendimtar në këtë fazë finale të sezonit, ku çdo ndeshje ka peshën e një finaleje dhe çdo gol mund të ndikojë drejtpërdrejt në fatin e skuadrës. Partizani ka nevojë për liderë në këtë moment dhe Skuka mbetet një nga emrat më të rëndësishëm në këtë aspekt.

Prania e tij në fushë i jep më shumë siguri skuadrës dhe më shumë frikë kundërshtarit, sidomos në ndeshje të tensionuara ku episodet bëjnë diferencën. Përballë Flamurtarit, të kuqtë shpresojnë që sulmuesi i tyre të jetë gati për të dhënë kontributin e tij dhe për të ndihmuar ekipin në një sfidë që mund të peshojë shumë në fatet e sezonit. Rikthimi i Skukës mund të jetë arma që Partizanit i ka munguar në javët e fundit.

PANORAMASPORT.AL