Dervishaj reagon pas fitimit të Kupës së Botës: Krenar për kontributin tim prej 30 vitesh te Spanja, shpërblimi i një rruge të gjatë
Eduard Dervishaj është prej vitesh pjesë e federatës së Spanjë duke mbajtur role të rëndësishme deri te zëvendës sekretar i përgjithshëm.

Ai ka qenë pjesë e ekipit që zhvilloi turne të jashtëzakonshëm dhe në fund u shpall kampion Bote. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Dervishaj ka postuar foto me Kupën teksa i falenderon të gjithë për rrugëtimin e jashtëzakonshëm dhe që ka përjetuar nga afër Botërorin e tij të dytë. Rikujtojmë që më parë ai ka qenë edhe sekretar i përgjithshëm i FSHF-së.
Postimi i plotë
Kupa e Botës po udhëton për në Spanjë
Po fluturojmë mbi Atlantik. U nisëm nga New York-u rreth orës 02:00 dhe, në këtë çast, futbollistët tanë po pushojnë. Ky grup djemsh të jashtëzakonshëm, profesionistë të nivelit më të lartë që na dhuruan një gëzim të papërshkrueshëm, më në fund po çlodhen pas një rrugëtimi 45-ditor mes Shteteve të Bashkuara, Meksikës dhe Kanadasë. Tani po kthehemi drejt Madridit me Kupën e Botës në bord.
Trofeu më i rëndësishëm i futbollit botëror dhe një nga simbolet më të mëdha të sportit. Fitimi i saj nuk është vetëm kurora e një turneu të jashtëzakonshëm; është shpërblimi i një rruge të gjatë pune, vizioni, tradite, kulture futbollistike dhe ekselence që futbolli spanjoll e ka ndërtuar me mund, me pasion dhe me dinjitet brez pas brezi.
Ndihem krenar që i përkas dhe që prej 30 vitesh jap kontributin tim për Federatën Mbretërore Spanjolle të Futbollit.
Mirënjohje e pafund për këta djem të mrekullueshëm që më dhanë mundësinë të përjetoj nga afër Kupën time të dytë të Botës.
PANORAMASPORT.AL













