Derbi me Tiranën, kapiteni shqetëson Ilir Dajën
Dinamo shpenzoi jo pak energji në Korçë për kualifikimin në gjysmëfinale të Kupës, pasi iu deshën 120 minuta.

Për më tepër, trajneri Ilir Daja e quajti një kualifikim me kosto, sepse disa lojtarë patën probleme fizike gjatë ndeshjes. Bregu u ndërrua në mesin e pjesës së dytë për një shqetësim muskulor, ashtu si dhe kapiteni Dita, i cili u ul në stol pas 90 minutave për shkak të një kontraktimi.
Për vlonjatin, mësohet se nuk ka rrezik para derbit me Tiranën, ku ai do të jetë gati. Mbetet të shihet gjatë këtyre dy ditëve gjendja e Ditës, i cili gjithashtu ka shanse rikuperimi për këtë ndeshje të rëndësishme.
Kujtojmë që të dy këta lojtarë kanë pak kohë që janë rikthyer nga dëmtimet. Mungesa e bluve për Tiranën do të jetë ajo e Bekim Maliqit, lojtarit të krahut të djathtë, që u dëmtua në ndeshjen me Laçin dhe ende nuk është rikuperuar. Pjesa tjetër e skuadrës është e gatshme për stafin teknik, që ka edhe dy seanca stërvitore në dispozicion për të përgatitur derbin.
PANORAMASPORT.AL













