Derbi i kryeqytetit, 10 “ish”-ë “pushtojnë” Tirana-Dinamo. Ja cilët kanë ndryshuar spondë
Në derbin e së shtunës Tirana-Dinamo do të jenë 10 “ish”-ë. Shtatë nga krahu i Dinamos dhe tre te Tirana. Në prag të një tjetër derbi të zjarrtë të futbollit shqiptar, emocionet janë të forta, jo vetëm për lojën në fushë, por edhe për nostalgjinë që sjellin figurat e njohura të të kaluarës.

Ish-lojtarët dhe ish-trajnerët që kanë kaluar nga Dinamo dhe Tirana shpesh janë pjesë e kujtimeve më të bukura dhe më dramatike të këtij përballjeje, duke e kthyer çdo derbi në një ngjarje të veçantë për tifozët. Nga Tirana rikthehet ish-trajneri Ilir Daja, i cili drejtoi skuadrën bardheblu në sezonin 2016- 2017, duke lënë gjurmë me stilin dhe menaxhimin e tij, ndërsa tani është trajneri i Dinamos.
Në mesin e ish-lojtarëve që do të jenë të pranishëm janë Luan Pinari, Erion Xhafa dhe Reinaldo Kalari, të cilët dikur kanë mbrojtur ngjyrat e bardhebluve dhe kanë qenë protagonistë të shumë sfidave të derbit, ndërsa tani në rolin e drejtuesve. Fjoart Jonuzi, Klevi Qefalija dhe Tomas Kiri, lojtarë aktualë të Dinamos, i shtojnë kësaj ndeshjeje një dimension emocionues, duke treguar se tradita dhe historia e këtyre përballjeve vazhdojnë të influencojnë edhe sot. Deri para dy vitesh ata vishnin fanellën bardheblu. Nga ana tjetër, përballë Dinamos rikthen figura që kanë bërë historinë e klubit dhe që sjellin me vete një bagazh të rëndësishëm për tifozët. Alfred Osmani, ish-lojtar i bluve dhe tani trajner i portierëve te Tirana, rikthehet me nostalgji për këtë derbi, ndërsa lojtarët aktualë Rimal Haxhiu dhe Dejvi Duro, të cilët më parë kanë luajtur me Dinamon, do të përjetojnë përsëri emocionet e një sfide që ka vendosur shumë herë fatin e titujve. Ky derbi nuk është thjesht një sfidë për pikët e kampionatit.
Ai është rikthim i emocioneve të dikurshme, një kujtesë e historisë së futbollit shqiptar dhe një mundësi për tifozët të shohin figurat që kanë shkruar kapituj të rëndësishëm të këtyre dy klubeve. Ish-lojtarët dhe ish-trajnerët sjellin përvojën, pasionin dhe kujtimet e tyre, duke e bërë derbin një ngjarje që përçon nostalgji dhe respekt për traditën. Kjo sfidë tregon se derbi nuk është vetëm për rezultatet e sotme, por edhe për historinë, traditën dhe figurat që kanë ndërtuar një trashëgimi të pasur, duke bërë që çdo përballje të jetë më shumë se një ndeshje, ajo është një simbol i pasionit të futbollit shqiptar.
OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL













