“Demat” plot mungesa e pezullime, Osmanllari dhe Buxhelaj si titullarë kundër Egnatias
Partizani kreu dje stërvitjen e fundit përpara ndeshjes që do të zhvillojë kundër Egnatias sot në Rrogozhinë në orën 13:30.

Foto/ F. Hazisllari
Partizani vjen pas tri barazimesh radhazi në kampionat, ku ka humbur terren me Egnatian. Në këtë sfidë ka mundësi të shkurtojë diferencën dhe të konfirmohet si pretendente absolute për titullin kampion. Megjithatë, nuk do të jetë aspak e lehtë, pasi të kuqtë kanë plot gjashtë mungesa të sigurta para kësaj sfide. Të deklaruar janë Eleke dhe Kote, që po rikuperohen nga dëmtimet, teksa Taipi, Bytyçi, Janjeva dhe Gudjufi janë të pezulluar për shkak kartonësh. Në dyshim për këtë sfidë mbetet edhe Preka, që ka shfaqur probleme shëndetësore ditët e fundit dhe nuk është stërvitur normalisht me skuadrën. Shkodrani pritet ta nisë nga stoli.
FORMACIONI – Nisur nga gjithë problemet me mungesat, formacioni do të ndryshojë. Në portë si zakonisht starton Qirko, por ndryshojnë ata para tij. Në mungesë të Janjevës dhe Bytyçit, nga minuta e parë në të djathtë pritet të startojë Osmanllari, zgjedhje e tretë për Veselinoviç. Në qendër pritet dyshja Sembene-Domgjoni, teksa në të majtë do të rikthehet Buxhelaj.
Në mesfushë mungon Taipi dhe shanset janë që t’i besohet një fanellë titullari sirianit Mando, që u tregua mjaft i rëndësishëm në derbi. Ismaili dhe Mehmeti plotësojnë repartin. Në sulm pritet të rikthehet titullar Keko dhe Podstrelov të ulet në stol. Me Bintsukën të sigurt në majë, pritet t’i besohet një fanellë titullari edhe malazezit Vujnoviç, që ndryshe nga disa afrime të tjera, duket se ka arritur të rritet mjaft shpejt nga ana fizike.
PANORAMASPORT.AL













