Deklarata e Dakës në prag të sfidës me Elbasanin: Luajmë për fitore, Vora rikthehet më e fortë
Ditën e Shën Valentinit, Vora mori një rezultat mjaft pozitiv duke ndalur në barazim 1-1 kampionët në fuqi. Por në këtë ditë të dashuruarve ai që ishte më i dashuruari me Vorën ishte Jurgen Vrapi që plotësoi 100 ndeshje me debutuesit e superiores. Me këtë barazim vorakët tashmë ndjehen komod në pozicionin e tabelës që ruajti diferencat me ekipet rivale të cilat nuk arritën do që të përfitonin nga kjo ndalesë. Kështu vendi i 7-të në renditje mund të konsiderohet për Vorën si “vendi i artë” në qëllimet e objektivave të saj.

Humbja e Tiranës në derbi dhe barazimi i vlonjatëve, bënë që Vora të jetë tashmë e shkëputur me 5 pikë nga Tirana dhe 6 pikë nga Flamurtari e Bylis. Kjo qëndrueshmëri e tyre ka ardhur si rezultat i shfrytëzimit në maksimum të faktorit fushë, ku në 6 takimet e luajtura ka arritur të marrë 7 pikë nga 18 të mundshme, duke arritur një fitore, 4 barazime dhe një humbje. E tashmë ajo kanë lënë pas takimin e fundjavës së shkuar e dje kanë nisur përgatitjet për sfidën e radhës.
PRAG ELBASANI – Vora një përballje gjithmonë e ndezur dhe me peshë në futbollin shqiptar. Të dyja skuadrat kanë objektiva madhore, pasi kërkojnë secila fitoren. Elbasanasit kërkojnë që të ngjiten sa më lart në tabelë dhe objektiv kanë fitimin e titullit kampion e Vora kërkon mbijetesën si skuadër debutuese, që për shumë sezone këto lloj skuadrash e kanë pasur mjaft të vështirë qëndrimin. E këtë herë ndeshja do të luhet përsëri në Vorë, ku vendasit do të jenë “mysafirë” në stadiumin e tyre. Bilanci mes tyre flet qartazi në favor të verdhebluve, ku suksesi i fundit i Vorës kundër tyre e ka ndryshuar pak “syrin e keq” për blutë, teksa në kuadër të javës së 7-të, kur më 19 tetor 2025, Vora pat triumfuar 2-1, në Elbasan.
Përballjet mes tyre nisin, që në Kategorinë e Parë, kur janë ndeshur 4 herë mes tyre, por në total figurojnë, 6 herë. Dy ndeshjet e fundit në Superiore janë luajtur në “Elbasan Arena”, ku të dyja skuadrat ndajnë nga një fitore 1-0 për Elbasanin dhe 2-1 për Vorën. Ndërsa tre herë të tjera janë ndeshur në kategorinë e parë, ku Elbasani ka fituar dy takime 2-0 dhe 3-2 (në finalen e kategorisë së parë) dhe një takim ka përfunduar në barazim 1-1. ndërsa një herë ato janë ndeshur në Kupën e Shqipërisë takim që është fituar përsëri nga Elbasani 2-0. në total këto dy skuadra janë ndeshur 6 herë, ku Vora ka arritur të fitojë një dhe të barazojë një, ndërsa Elbasani ka 4 fitore ndaj vorakëve. Golaverazhi i përgjithshëm mes tyre është 10-5 në favor të Elbasanasve.
PRONONCIMI – Pas barazimit 1-1 ndaj kampionëve në fuqi, në një sfidë ku pika e marrë erdhi në frymën e fundit, Dario Daka, një nga më të mirët në këtë përballje, frymëzonte skuadrën me shpërthimet e tij në krahun e djathtë. Nga ai krah u gatua dhe goli i Kasallës, flet për “Panorama Sport” për pritshmëritë në prag të duelit të rëndësishëm për ta, ndaj Elbasanit në “transfertën” ku Vora është pritëse. Daka thekson se Vora është në rritje dhe se me çdo kusht do të kërkohet fitorja, tripikëshi që do të sjell qetësinë në ekip. “Me një mbrojtje solide, me kompaktësinë e grupit dhe me komunikimin e mirë mes nesh, na është krijuar besimi, se mund të ja dalim çdo ekipi kundërshtar”, janë fjalët e para të futbollistit që erdhi nga Trapani te Vora, Dario Daka.
Duke vijuar më tej ai flet për ndeshjen. “Është normale që mbrojtja nis që nga sulmuesit prandaj dhe ne kemi marrë detyra si sulmues i djathtë të kemi përgjegjësitë tona edhe prapa vijës sulmuese, për të qenë më agresivë dhe më të saktë në aksionet tona. E këto janë meritë e grupit dhe e të gjithë ekipit”, vazhdoi më tej. Më pas lojtari, që ka luajtur 21 ndeshje me Vorën dhe ka shënuar dy gola, flet edhe për sfidën kundër Elbasanit që do ta luajë të shtunën në Vorë.
“Elbasani është një skuadër që nuk dorëzohet dhe ka shumë energji, por faktorin fushë ne duhet ta shfrytëzojmë në maksimum. Pritet që të jetë një ndeshje më shumë fizike, me duel të fortë duke pasur pak hapësira. Por nëse ne luajmë me të njëjtin ritëm, siç bëmë ndaj Egnatias do të jemi më të saktë para portës dhe besoj se do të ja dalim ti marrim tri pikë Elbasanit. Skuadra është rritur dhe e bërë më e fortë që lufton vetëm për fitore”, tha ai. Së fundmi ai ka dhe një thirrje për përkrahësit. “Tifozeria vorake ka qenë e jashtëzakonshme, duke qenë pranë nesh edhe në rezultate disfatiste. Dua t’i them që të mos humbin besimin, duke vazhduar të mbushin shkallët e tribunave. Skuadra po punon fort për objektivin, ku padiskutim Vora mbijeton. Shpresoj që të shtunën t’i gëzojmë ata me fitore”, ka përfunduar prononcimin e tij për “Panorama Sport”, 24-vjeçarin që ka qenë pjesë e Kombëtares kuqezi tek ekipi Shpresa dhe kërkon të rritet edhe më shumë për të përfaqësuar ekipin tonë kombëtar, Dario Daka.
ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL













