Deklarata e bujshme për Ilir Dajën, presidenti i Dinamos si Gaz Demi. Çfarë ndodhi në 5 vite
Dinamo fitoi dje Superkupën e Shqipërisë. Ekipi i Ilir Dajës shtangu kampionët e Egnatias, duke i mposhtur me rezultatin 1-3 në stadiumin “Air Albania”.

Pas ndeshjes foli presidenti Adrian Bardhi. Ky i fundit dha një deklaratë të bujshme, e ngjashme me atë që presidenti i Partizanit, Gazment Demi deklaronte rreth 5 vite më parë.
Fakt është se Daja mbetet trajneri më jetëgjatë i Partizanit deri tani, me presidentin Demi në krye të klubit. Po ashtu e njëjta gjë mund të thuhet edhe te Dinamo, pasi Bardhi siguroi nënshkrimin me Dajën në shtatorin e vitit 2024.
PRESIDENTI ADRIAN BARDHI
A është në plan një rinovim kontrate me trajnerin Daja? “Nuk do rri çdo vit t’i rinovoj kontratën Dajës. Ka kontratë 30-vjeçare, tani do plaket me mua”, u shpreh fillimisht Bardhi.
Klauzolë? Po, do më marrë me vete”, u shpreh presidenti Dinamos dje. Njësoj si Partizani në marsin e vitit 2021, Dinamo aktualisht me Ilir Dajën synon trofeun më të rëndësishëm.
PRESIDENTI GAZMENT DEMI
“Sa të jem unë në krye të Partizanit do të jetë trajner Ilir Daja, pasi nga ana ime kemi një projekt afatgjatë. Nëse nuk kam më fuqi për ta përballuar, ngre duart lart dhe e shes klubin, por sa të jem unë dalim në pension me Dajën si trajner”, shprehej presidenti i Partizanit në marsin e vitit 2021. Ilir Daja largohej në fundin e të njëjtit vit.
PANORAMASPORT.AL













