Debate për stadiumin “Flamurtari”/ Të djathtët akuzojnë, ndërsa të majtët votojnë transferimin e pronësisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 22, 2025 | 10:53

Debate për stadiumin “Flamurtari”/ Të djathtët akuzojnë, ndërsa të majtët votojnë transferimin e pronësisë

I prezantuar me bujë tri vite më parë në teatrin “Petro Marko”, stadiumi i ri “Flamurtari” kthehet në pikën zero.MixCollage-22-Jul-2025-10-33-AM-4196Për shkak të mungesës së financave, Fondi Shqiptar i Zhvillimit është tërhequr nga investimi dhe projektin e ka marrë përsipër ta vazhdojë Agjencia e Investimeve Strategjike. Në mbledhjen e djeshme, Këshilli Bashkiak i Vlorës miratoi mes debatesh këtë projektvendim me 29 vota pro, 3 kundër dhe 2 abstenim. Në nisje të diskutimit, kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha, sqaroi me detaje këtë çështje.

“Ne mezi prisnim që ky projekt që do të ndryshojë fizionominë e investimeve në qytetin e Vlorës, është bërë edhe një garë në teatrin ‘Petro Marko’, për ‘Vlora Sport’, para gati dy vitesh. Por shikojmë që nuk ka ecur përpara për shkak se Fondi Shqiptar i Zhvillimit, pasi nuk ka gjetur financat e duhura, është tërhequr. Na është ofruar me vetëfinancim Agjencia e Investimeve Strategjike. Ne kemi marrë tri prona që janë të Bashkisë se pjesa tjetër është shtet që të negociohet si një e tërë. Ne duam të bëhet stadiumi, sepse realisht e shikojmë që është domosdoshmëri. Ashtu si kundër do të bëhet pallati i sportit dhe pishina pasi ne duam të orientojmë të rinjtë drejtë sportit. Duhet të ecim përpara me projektet e sportit që kanë edhe peshë specifike në këtë proces dhe të mos mbetemi peng i saj që kemi thënë shpesh që do të fillojmë pas një muaji apo pas shtatë muajsh. Të hapim një dritare me qëllim që ta kalojmë pastaj me vendim të Këshillit të Ministrave. Besoj nuk do të ketë ndonjë kundërshtim të madh këtu pasi ne thjeshtë po transferojmë nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit tek Agjencia e Investimeve Strategjike të gjithë këtë proces”, tha Dredha.

DEBATET – “Panorama Sport” zbardh debatet që u zhvilluan dje në këshillin bashkiak në lidhje me investimin për stadiumin e ri. Këshilltarët e opozitës theksuan se qëllimi i projektit janë kullat në stadium. Ata theksuan se janë rreth 33 mijë e 692 m2 që do t’i kalojnë Agjencisë së Investimeve Strategjike.

ATIRD HOXHA – Këshilltar i PD-së: “Këto projektvendime me rëndësi kaq të madhe nuk mendoj se është e udhës të vijnë pesë minuta para startimit të mbledhjes së Këshillit Bashkiak. Janë rreth 33 mijë e 692 m2 që pretendohet t’i kalojnë Agjencisë së Investimeve Strategjike. Por në mbledhjen e mëparshme që kemi miratuar sipërfaqja ka qenë më e madhe rreth 65 mijë m2 që përfshinte edhe banesa të qytetarëve pranë aneksit të stadiumit. Sot, ju zoti Dredha përmendët stadiumin, pallatin e sportit dhe pishinën. A ka interes ndonjë privat që të marrë këtë projekt? Ky projekt, a cenon vendndodhjen aktuale të pallatit sportit? Do të qëndrojë aty apo do të transmetohet që ajo zonë të kthehet në kulla shumëkatëshe? Ju pretendoni që këtë zonë ta ktheni në stadium me kulla, si ai stadiumi ‘Air Albania’. Ky i yni do të jetë stadium me disa kulla”.

ERMAL DREDHA – Kryetar i Bashkisë: “E rëndësishme është që të bëhet stadiumi dhe unë e shikoj me shumë vlerë. Ai stadium duhet bërë, sado që aty po bëhet një ndërhyrje për ta rivitalizuar dhe është bërë një punë e mirë. Kjo në vazhdimin edhe të asaj që ne e kemi kërkuar me padurim që Flamurtari ajo skuadër që ka lënë gjurmë në historinë e futbollit shqiptar, rikthehet prapë aty ku e kishte vendin dhe po merrë formë. Më vjen mirë që edhe administratori Idrizi po bën një punë të mirë aty e gjitha me buxhet personal pa e cenuar buxhetin e Bashkisë së Vlorës. I urojmë Flamurtarit suksese këtë vit dhe të na nderojë me performancat e veta. Sa i përket pjesës së investimit… Po punohet që ta sjellim sa më shpejtë në jetë atë projekt. Projekti nuk është definitiv. Kur të marrë formë të plotë do të prezantohet në mënyrë transparente dhe do të bëhet një garë e hapur ndërkombëtare. E rëndësishme është që stadiumi, pallati i sportit dhe pishina do të jenë pjesë integrale e këtij projekti. Kemi tre vjet që po themi do e bëjmë, por nuk po e gjejmë financimin”.

KLODIAN XHYHERI – Këshilltar i Partisë “Mundësia”: “Është ai projekti me kukulla dhe stadiume me kulla. Unë e kam shprehur votën time kundër këtyre projekteve gjysmë sport e gjysmë beton. Ne nuk duhet të fshihemi pas emrit të madh të Flamurtarit dhe dashurisë që kanë qytetarët për Flamurtarin e dikurshëm të lavdishëm se tani nuk është i tillë. Nuk duhet të fshihemi pas emrit të tij duke thënë do bëjmë një pishinë, një aneks, një stadium me kullë apo kullë me stadium. Qëllimi final janë kullat. Ju thashë edhe te shtyrja e kontratës së Flamurtarit që janë kullat, kaq e thjeshtë është”.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL