Bylisi, trajneri Josa bën analizë dhe gjen shkaqet e humbjes me Teutën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 9, 2025 | 15:26

Bylisi, trajneri Josa bën analizë dhe gjen shkaqet e humbjes me Teutën

Ballshiotët vazhdojnë stërvitjet në prag të duelit me Vllazninë, ndërsa trajneri Josa dhe stafi kanë zgjedhur një plan ndryshe nga ai i zakonshëm.josaSkuadra zhvillon dy seanca stërvitore në ditë. Seancat e mëngjesit përqendrohen në ushtrime me ngarkesë dhe stërvitje me topin, ndërsa pasditet kalojnë në palestrën e forcës në qytet. Mallakastriotët duket se kanë në plan edhe ndonjë ndeshje testuese, madje mund të përballen me Lushnjën, por ende nuk është përcaktuar vendi dhe ora e takimit. Madje, kjo ndeshje nuk është zyrtarizuar ende mes dy klubeve. Gjithsesi, Josa ka vendosur të zhvillojë testin këtë fundjavë, duke shfrytëzuar mundësinë për të bërë edhe disa lëvizje taktike në prag të sfidës me Vllazninë. E sigurt është që do të ketë ndryshime në formacion, madje edhe disa risi që pritet të shfaqen në 11-she.

ANALIZA – Ashtu si pas çdo sfide, të fituar apo të humbura, ballshiotët kanë nisur javën me analizën e ekipit. Megjithatë, duke qenë se kampionati nuk do të ketë një pauzë dyjavore, lojtarët u lanë një ditë pushim më shumë dhe u rikthyen në fillimjavë në stërvitje. Ballshiotët e nisën javën me seanca analizash, ku stafi teknik kërkoi nga skuadra që të përqendrohet maksimalisht në sfidën e radhës. Veçanërisht, u kërkua të eliminohen gabimet në defensivë dhe të tregohet më shumë fleksibilitet në sulm, duke shfrytëzuar rastet e krijuara për të goditur kundërshtarin. Ndonëse disa lojtarë nuk kanë qenë të grumbulluar me kombëtaret respektive, përgatitjet në Ballsh kanë vijuar normalisht dhe ata që kanë qenë në dispozicion kanë marrë ngarkesa të plota stërvitore, duke dhënë maksimumin në çdo seancë.

ATMOSFERA – Humbja me Teutën ka lënë Ballshin në pozita jo të kënaqshme në renditje, ndaj edhe në stërvitje dhe përgatitje për ndeshjen me Vllazninë ka një fokus të madh te përmirësimi i lojës. Lojtarët dhe stafi duan të lëvizin me llogaritë e duhura, duke përmirësuar gabimet e së kaluarës dhe duke synuar rezultate pozitive në çdo takim. Bylisi, që në fillim të sezonit kishte synime madhore, si në kampionat ashtu edhe në Kupën e Shqipërisë, tashmë e kupton rëndësinë e çdo ndeshjeje dhe përgatitjet janë intensive dhe të detajuara për të arritur objektivat e klubit.

ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL