Bylisi tenton tri pikë për sfidën me Egnatian
Bylisi tashmë është fokusuar te sfida me Egnatian, e cila luhet të shtunën e ardhshme në Ballsh, në orën 16:00. Një duel mjaft i fortë, por ballshiotët jo vetëm që do të jenë të plotë, por edhe më të shumtë me afrimet e fundit në ofensivë të Rabiu dhe Uankeuai.

Mallakastriotët e Mirel Josës pritet të rikthehen në garë me tjetër muzikë, madje me synime të qarta që në sfidën e radhës shtëpiake me Egnatian. Mallakastriotët do të kërkojnë me çdo kusht të thyejnë rrogozhinasit, pasi ende nuk kanë asnjë fitore, edhe pse kanë kaluar dy ndeshje. Megjithatë, ajo që bie në sy është harmonia në grupin e skuadrës bardhekuqe, e cila ka qëndruar në grumbullim, çka tregon edhe seriozitetin e klubit, duke i vlerësuar maksimalisht sfidat e para të këtij sezoni. Skuadra ka zhvilluar stërvitjen si zakonisht, me të njëjtin program edhe të shtunën, ndërsa të dielën është lënë pushim për t’u rikthyer pranë familjeve të tyre dhe për të rinisur grumbullimin të hënën në Ballsh.
Te Bylisi skuadra është kompletuar sidomos në ofensivë, ndërsa me rikthimin në formë të Karmonas edhe mbrojtja do të jetë më solide. Ndërkohë, dëshira në klub ka qenë për afrimin e një lojtari që të luajë para mbrojtjes apo edhe në mesfushë, dhe kështu të dy repartet do të bëheshin “top”. Gjithsesi, fokusi më i madh tashmë është tek sfida në kampionat me rrogozhinasit. Interes për këtë ndeshje do të ketë edhe nga publiku vendas.
Kujtojmë që sezonin e shkuar mallakastriotët nuk fituan asnjë nga sfidat me rrogozhinasit, ndaj edhe këtë sezon do të ketë një lloj hakmarrjeje, për mënyrën se si shkuan ngjarjet një vit më parë. Në fillimjavë skuadra do të jetë më e plotë, pasi kthehen Përndreca dhe Marku, por edhe Kamara, tre titullarë të Bylisit të këtij sezoni. Gjithsesi, deri në ditën e sfidës ka ende një javë kohë. Josa është ekspert dhe nuk përjashtohet mundësia që të ketë edhe surpriza në afrime apo lëvizje formacioni te mallakastriotët, vetëm e vetëm për marrjen e 3 pikëve ndaj rrogozhinasve.
ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL













