Bylisi pa 4 titullarë, nisin seleksionimet për sezonin e ri
Bylisi pritet që shumë shpejt të zbresë në fushën e stërvitjes, madje mallakastriotët ka zëra që mund të nisin punën që javën e ardhshme. Në fakt janë edhe disa tratativa me disa lojtarë të cilët kanë oferta dhe klubi kërkon që të ndajë mendjen në prag të fazës përgatitore, nëse do t’i ketë ose jo në plane ose, nëse shiten, të gjejë menjëherë zëvendësuesit e tyre.

Sepse nuk janë pak, por bëhet fjalë për 3-4 titullarë të tjerë në Ballsh dhe lojtarë të cilët kanë mbajtur “peshë” kryesore në formacion në vitet e fundit. Ballshiotët kanë vëzhguar disa elementë të talentuar në javët e fundit të Kategorisë së Parë, të cilët mund të bëjnë punë në skuadër dhe mund të afirmohen në Ballsh. Megjithatë kjo mbetet për t’u parë në ditët e ardhshme.
Mallakastriotët kanë pasur largime dhe bëhet fjalë për 3-4 titullarë stabël që nuk do të jenë më dhe që kanë mbajtur peshë kryesore te mallakastriotët, si: portieri Batista, Ilieski, Ruçi e ndonjë tjetër. Mallakastriotët pritet që të grumbullohen në kushtet e shtëpisë, ku do të kryejnë edhe seleksionime deri në javën e fundit të korrikut, më pas, pasi të kenë konturuar grupin, ata do të shtegtojnë në një vend me klimë më të freskët. Bylisi siguroi mbijetesën vetëm në javën e fundit të Superiores dhe ballshiotët duan që këtë sezon të jenë ndryshe dhe më të qetë. Rivaliteti mbetet e po ashtu edhe cilësia e skuadrave që garojnë në Superiore në sezonin 2025-2026.
ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL













