Bylisi nis testimet për sezonin e ri, kthehen dy sulmues

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 6, 2025 | 22:05

Bylisi nis testimet për sezonin e ri, kthehen dy sulmues

Bylisi i sezonit të ardhshëm do të jetë një ekip me ambicie në kampionat dhe Kupën e Shqipërisë, të paktën, për këtë janë duke punuar presidenca dhe klubi në këtë periudhë.

byliss

Struktura me 10 ekipe vështirëson mbijetesën dhe kjo është vënë re thuajse çdo sezon, ndaj edhe mallakastriotët pritet që të jenë ndryshe. Pak a shumë është zbardhur edhe axhenda e skuadrës për periudhën e verës. Në fund të këtij muaji do të ketë një seleksionim dhe testime, për lojtarët e huaj apo dhe ata që do të vijnë për herë të parë në Ballsh nga vendi, për afro 10 ditë. Më pas, ata lojtarë që do e kalojnë provën, do të bëhen pjesë e skuadrës së parë, kurse ndonjë element tjetër do të “atashohet” me ekipin “B”.

Nga ballshiotët, prej titullarëve të sezonit të shkuar është larguar zyrtarisht Ilieski, që luante qendërmbrojtës, ndërsa pjesa tjetër janë elementë nga ekipi “B”. Në Ballsh kanë nisur punën nga infrastruktura, ndërsa, krahas stadiumit dhe kompleksit me bar artificial, po shihet mundësia që të jetë në kushte optimale edhe minifusha pas stadiumit “Adush Muçaj”. Aty skuadra do të stërvitet edhe gjatë fazës për të mos dëmtuar impiantin.

EMINI DHE HASAN – Ballshiotët do të kenë edhe dy forca më shumë në startin e fazës dhe bëhet fjalë për dy lojtarë që kanë qenë pjesë e akademisë dhe kanë luajtur me skuadrën e parë. Bëhet fjalë për 21-vjeçarin Serxhio Emini dhe 20-vjeçarin Kavu Hasan. Siç dihet, Emini bëri pushim për shkak dëmtimi thuajse tërë sezonin e po ashtu edhe Hasan, që u huazua në Berat, nuk luajti në pjesën më të madhe të aktivitetit. Të dy sulmuesit kanë pasur probleme dëmtimi madje dhe duke bërë ndërhyrje. Ata do të jenë gati gjatë fazës përgatitore dhe të dy janë lojtarë të fazës së sulmit, të cilët premtojnë shumë. Madje, ballshiotët, nëse nuk i kanë në plane në skuadrën e parë, do t’i kenë pjesë të ekipit “B”, në Kategorinë e Dytë, pasi premtojnë shumë dhe kështu do të kapin formën optimale.

ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL