Bylisi me sytë nga Europa, flet Përndreca: Synojmë Kupën e Shqipërisë
Bylisi do ta ndajë fazën përgatitore dimërore në tri “etapa”, të cilat përkojnë me përgatitjet në kuadër të gjysmës së dytë të sezonit, por edhe me merkaton. Me këtë të fundit pritet të ketë “dalje”, por edhe hyrje, megjithatë ato do të jenë me “pikatore”, një strategji që është ndjekur edhe janarin e shkuar dhe që rezultoi e suksesshme.

Në verën e kaluar, Bylisi afroi shumë lojtarë, të ardhur për herë të parë, por edhe një numër të madh futbollistësh që u rikthyen nga huazimet në skuadra të tjera. Ndaj edhe nëse do të ketë largime përfundimtare, ato mund të jenë 2-3, pasi do të ketë më shumë huazime të lojtarëve që kanë qenë pjesë e skuadrës së parë apo edhe ekipit të dytë.
Bëhet fjalë për lojtarë që nuk janë përshtatur, edhe për faktin se nuk ishin gati për Superioren, ndërsa në ekipin B, për shkak se hapësirat u janë dhënë lojtarëve të ardhur nga huazimi apo moshave U-19, të cilët premtojnë shumë. Ndaj edhe klubi po sheh mundësinë e bashkëpunimit dhe huazimit të tyre në 2-3 ekipe të Kategorisë së Parë, ose pretendente në Kategorinë e Dytë. Tashmë që pjesa e parë e sezonit u mbyll, Fabjan Përndreca, një nga zbulimet e dy sezoneve të fundit në Ballsh dhe që ka pasur arritje në karrierë, ka folur për “Panorama Sport”.
“Ka qenë një sezon që për mua ka njohur rritje, sepse e nisa si titullar dhe po luaj në Superiore, çka ka bërë që të jem pjesë edhe e Shpresave U-21. Por fitova edhe një çmim prestigjioz, siç është ‘Talenti i Vitit’. Te Bylisi kam fatin e madh që ka lojtarë të huaj shumë cilësorë, të cilët e ndihmojnë skuadrën, si Kamara, Peralta apo Mustafa. Kam besim se në pjesën e dytë të garës do të jemi shumë më lart si skuadër, duke synuar edhe më tepër në kampionat dhe në Kupën e Shqipërisë. Dua të kontribuoj si titullar edhe për ngjyrat kuqezi, sepse na presin ndeshje shumë të rëndësishme. Shpresoj që viti 2025 të jetë një vit suksesi për mua dhe Bylisin dhe ta kurorëzojmë me fitimin e Kupës së Shqipërisë”, u shpreh Fabjan Përndreca, 19-vjeçari i linjës së majtë te Bylisi.
ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL













