Bruno Dita humbet edhe derbin, sa pritet të qëndrojë jashtë fushave kapiteni i Dinamos
Bruno Dita e ka humbur edhe derbin e kësaj jave me Partizanin, por ka rënë alarmi për një mungesës të gjatë të kapitenit të Dinamos.
Lojtari 31-vjeçar ka pësuar një dëmtim muskulor në pulpë para ndeshjes me Elbasanin dhe pas kontrolleve të detajuara që ka zhvilluar dje, i takon që të qëndrojë dy javë jashtë. Mesfushori që po luan si qendërmbrojtës me blutë, u dëmtua në nxemje dhe u pa të dilte nga fusha me ndihmën e stafit mjekësor, pasi e kishte të vështirë të vendoste këmbën në tokë. Një situatë që solli pak panik në radhët e Dinamos, duke krijuar idenë se bëhej fjalë për një dëmtim serioz dhe një kohë të gjatë rikuperimi.
Frika ishte për një dëmtim të tendinës, por dje Dita ka bërë ekzaminimet përkatëse, që kanë nxjerrë vetëm një dëmtim muskulor. Gjithsesi, kapitenit të Dinamos i duhen të paktën dy javë kohë, çka do të thotë se ai ka humbur derbin e së shtunës me Partizanin dhe me shumë mundësi edhe ndeshjen tjetër të kampionatit me Skënderbeun. Vendin e tij ndaj Elbasanit e mori Rustem Hoxha, mbrojtësi me eksperiencë që edhe pse vinte nga një kohë e gjatë pa luajtur për shkak dëmtimi, u paraqit mjaft mirë.
BEOGRADI – Për një rikuperim sa më të shpejtë të Ditës, klubi kryeqytetas është gati që ta çojë atë në Beograd, te fizioterapistja e njohur serbe Marijana Kovaçiç. Nëse ndodh kështu, kapiteni blu do të udhëtojë këto ditë drejt Serbisë dhe në këtë rast rikuperimi do të jetë më i shpejtë. E njëjta mënyrë rikuperimi është ndjekur gjatë këtij sezoni nga klubi i Dinamos edhe me portierin Edmir Sali.
Dita është një nga lojtarët me më shumë eksperiencë dhe stafi teknik dëshiron që ta ketë gati sa më parë, duke ditur që sezoni tashmë hyn në një fazë mjaft delikate. Në anën tjetër, nuk do të nxitohet si me Ditën, ashtu edhe me çdo lojtar tjetër të dëmtuar, sepse mund të rrezikohet për një mungesë më të gjatë.

TË TJERËT – Në ndeshjen e fundit me Elbasanin u vu re fakti se Dinamo kishte një stol më të reduktuar me lojtarë. Përveç Ditës që u dëmtua në nxemje dhe i la vendin Hoxhës, blutë kishin edhe disa lojtarë të tjerë me probleme. Në tribunë ishin për shkak dëmtimi portieri Sali dhe mesfushori i ri Doçi. Ndeshjen e fundit e humbi për shkak të një gjendjeje virale dhe mbrojtësi Agron Rufati.
Gjatë kësaj jave do të shihet gjendja e këtyre tre lojtarëve, por ka gjasa që ata të jenë pjesë e skuadrës për derbin me Partizanin. Blutë kanë një organikë të pasur në fakt edhe deri tani nuk i kanë ndier shumë mungesat që kanë pasur nga dëmtimet dhe kartonët. Kundër Elbasanit, duke parë edhe dinamikat e ndeshjes, nuk luajtën asnjë minutë lojtarë si Bregu dhe Jonuzi, të cilët trajneri Ilir Daja i ka më të freskët për sfidat e radhës.
FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL













