Bordin nis aventurën te Tirana, 7 finale në 45 ditë! Që në fillim “malore” kundër Flamurtarit
Emërimi i trajnerit italian Roberto Bordin te Tirana ka sjellë menjëherë pritshmëri të larta, por edhe një ndjesi presioni, pasi kalendari i bardhebluve është i pamëshirshëm. Në harkun e vetëm një muaji e gjysmë, kryeqytetasit do të përballen me shumicën e rivalëve direktë për objektivat madhorë.
TIRANA – FLAMURTARI Debutimi i Bordin do të jetë pikërisht ndaj, Flamurtarit. Për Tiranën, ky është një test për të nisur me “këmbë të mbarë dhe për të fituar besimin e tifozëve.
EGNATIA – TIRANA Një javë më pas vjen një transfertë shumë e vështirë në Rrogozhinë. Egnatia është një nga skuadrat më të forta të Superiores në vitet e fundit dhe një rival direkt për kreun. Tirana ka vuajtur shpesh ndaj këtij ekipi, ndaj ky duel do të tregojë sa e përgatitur është skuadra e Bordin për sfida të nivelit të lartë.
TIRANA – DINAMO Derbi i kryeqytetit nuk ka nevojë për shumë fjalë. Dinamo e ka rritur ndjeshëm nivelin kohët e fundit dhe ndeshjet me Tiranën kanë qenë gjithnjë të luftuara. Për Bordin, fitorja në këtë duel do të ishte një kartëvizitë e shkëlqyer përpara publikut bardheblu.
PARTIZANI – TIRANA Vetëm pak ditë pas derbit me Dinamon, Bordin do të duhet të përballet me supersfidën më të madhe të futbollit shqiptar. Derbin e kryeqytetit kundër Partizanit. Për çdo trajner që vjen te Tirana, kjo është ndeshja që mund të vendosë fatin e tij. Fitorja sjell lavdi të menjëhershme, ndërsa humbja rëndon fort mbi karrigen e trajnerit.
TIRANA – TEUTA Pas dy derbive radhazi, në “Selman Stërmasi” vjen Teuta, një skuadër e rrezikshme që di t’i marrë pikë të mëdha kundërshtarëve kryesorë. Ky është një test për qëndrueshmërinë e bardhebluve pas lodhjes së përballjeve të rënda.
VLLAZNIA – TIRANA Një tjetër transfertë e zjarrtë për Tiranën. Shkodra ka gjithnjë atmosferë elektrizuese dhe Vllaznia, me traditën e saj, mbetet një nga rivalët më të fortë të kampionatit. Për Bordin, ky duel është një provë karakteri dhe qëndrueshmërie në fushë të vështirë.
TIRANA – ELBASANI Kalendarin e rëndë e mbyll ndeshja kundër Elbasanit surprizë. Verdheblutë kanë nisur shumë fort sezonin dhe janë kthyer në një rrezik real për ekipet e mëdha. Për Tiranën, ky duel do të thotë më shumë sesa tri pikë, sepse është përballja me një skuadër që mund të shfaqet si konkurrente e re për zonën e kupave europiane dhe e kaluara e Roberto Bordin. Në vetëm 7 ndeshje, Bordin do të përballet me ish-ekipin e tij, dy derbi të zjarrtë në kryeqytet, dy transfertat më të vështira të kampionatit dhe një surprizë të këndshme si Elbasani. Këto përballje do të vendosin shumë jo vetëm për fatin e sezonit të Tiranës, por edhe për të ardhmen e italianit në stolin bardheblu. Nëse arrin të kalojë me sukses këtë “maratonë zjarri”, atëherë Bordin jo vetëm që do të fitojë besimin e tifozëve, por edhe do të rikthejë Tiranën si një pretendente serioze për titullin kampion.
OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL













