Bomba e merkatos në NBA, ylli grek drejt Heat. Zbulohen detajet e transferimit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 24, 2026 | 19:34

Bomba e merkatos në NBA, ylli grek drejt Heat. Zbulohen detajet e transferimit

Sipas raportimeve të “ESPN”, Milwaukee Bucks dhe Miami Heat kanë arritur një marrëveshje paraprake për transferimin e yllit grek Giannis Antetokounmpo dhe Bobby Portis drejt Floridës.

3

Në këmbim, Bucks pritet të marrin Tyler Herro, Kel’el Ware, Jaime Jaquez Jr., ish-lojtarin e Barcelonës Kasparas Jakucionis, tre zgjedhje të raundit të parë në Draft, të drejtën për shkëmbim zgjedhjesh në të ardhmen dhe një zgjedhje të raundit të dytë. Marrëveshja raportohet se do të formalizohet më 6 korrik, ndërsa mbetet ende mundësia që operacioni të zgjerohet me përfshirjen e elementeve të tjera.

HEAT FITON GARËN ME CELTICS Miami Heat duket se ka fituar garën ndaj Boston Celtics për të siguruar shërbimet e njërit prej basketbollistëve më dominues të NBA-së. Presidenti i klubit, Pat Riley, do të shtonte kështu edhe një tjetër lëvizje të madhe në karrierën e tij të gjatë, pas afrimeve historike si LeBron James, Shaquille O’Neal, Chris Bosh, Alonzo Mourning dhe Jimmy Butler. Nëse transferimi konfirmohet, Miami do të krijojë një nga dyshet më të fuqishme nën kosh në NBA, me Bam Adebayo dhe Giannis Antetokounmpo që do të formonin një repart mbrojtës dhe ofensiv mjaft imponues. Boston Celtics raportohet se ofroi Jaylen Brown dhe dy zgjedhje të raundit të parë për Antetokounmpon, por klubi nuk ishte i gatshëm të përfshinte talentin spanjoll Hugo Gonzalez në marrëveshje.

MESAZHI ENIGMATIK Mes spekulimeve të shumta rreth së ardhmes së tij, Antetokounmpo publikoi një mesazh që tërhoqi vëmendjen në rrjetet sociale: “Zot, të kam besuar në fillim dhe do të vazhdoj të të besoj deri në fund”. Ylli grek, kampion i NBA-së me Milwaukee Bucks në vitin 2021, e mbylli sezonin e fundit me mesatare prej 27.6 pikësh, 9.9 kërcimesh dhe 5 asistesh për ndeshje, pavarësisht se humbi më shumë se gjysmën e takimeve për shkak të problemeve të ndryshme fizike.

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL