Bismark i pagon shtrenjtë minutat ndaj Teutës, te Vllaznia rrezikojnë edhe 4 të tjerë
Vllaznia ka vijuar normalisht me përgatitjet e zakonshme stërvitore gjatë kësaj jave. Ku shkodranët tashmë kanë hyrë në javën “anti-Vora”. Me kuqeblutë që do të presin në shtëpi debutuesit e këtij sezoni në Superiore dhe momentalisht surprizën e këtij kampionati deri më tani.

Në një takim që nuk nënvlerësohet aspak nga ana e shkodranëve, objektivi ngelet një dhe i vetëm, që është fitorja në shtëpi dhe krijimi i një vazhdimësie dhe ritmi në rezultate. Kështu para kësaj ndeshjeje, trajneri Martini dhe stafi i tij duhet t’i bëjnë llogaritë me mungesa. Kjo pasi si Qato ashtu edhe Kuros ende nuk i janë bashkuar grupit të futbollistëve në proceset stërvitore. Duke mos garantuar ende në 100% të gjendjes së tyre fizike dhe vështirë se mund të llogariten si titullarë në ndeshjen e së dielës.
Po ashtu edhe Bismark, që u zëvendësua në takimin e fundit kundër Teutës nuk ka qenë pjesë e stërvitjeve. Ku dëmtimi i ganezit duket se po rezulton më serioz seç u parashikua në fillim. Pavarësisht se do të mungojnë në duelin e radhës, Gurishta e Jukaj po ashtu kanë qenë pjesë e seancave stërvitore. Me të parin që është i pezulluar për shkak të kartonit të kuq që mori ndaj Teutës pas dy ndëshkimeve me të verdhë e ndërsa portieri vijon me rikuperimin pas një dëmtimi në shpatull që ka pësuar para 10 ditësh.
PANORAMASPORT.AL













