Besa e re po rilind nga akademia. Ja gjashtë lojtarët e rinj, të cilët kanë fituar besimin e trajnerit Magani
Kavaja ka qenë gjithmonë një vatër e rëndësishme e futbollit shqiptar dhe një shkollë e vërtetë talentesh, ku nga radhët e Besa kanë dalë ndër vite lojtarë me vlera. Kjo traditë e vyer po vazhdon edhe sot, teksa klubi verdhezi po dëshmon se e ardhmja është e sigurt falë brezit të ri që po rritet në akademi. Vetëm në ndeshjen e fundit, ndaj Korabi Peshkopi, trajneri Gugash Magani aktivizoi plot gjashtë futbollistë të dalë nga akademia, Guhacaj, Rrena, Selimi, Puqja, Daja dhe Hoxha, ku pesë prej tyre ishin titullarë.
Gjashtë lojtarë e akademisë së Besës që u aktivizuan ndaj Korabit. Nga e majta në të djathtë: Junos Guhacaj, Adriel Selimi, Kevin Hoxha, Skerdi Puqja, Valentin Daja, Haxhi Rrena.
Një fakt që jo vetëm tregon cilësinë e brezit të ri, por edhe besimin që po u jepet talenteve të Kavajës. Në javët e fundit, Besa ka dhënë një shembull korrektësie dhe ndershmërie sportive, sidomos në ndeshjet ndaj skuadrave që luftojnë për mbijetesë. Në përballjen me Korabin, verdhezinjtë u paraqitën me shumë mungesa për shkak pezullimesh dhe dëmtimesh, por kjo u kthye në një mundësi të artë për të rinjtë. Përballë një kundërshtari që zbriti në fushë me formacionin më të mirë, Besa arriti të marrë një barazim të merituar 1-1, duke treguar se edhe një skuadër e re në moshë mund të rivalizojë denjësisht. Madje, edhe goli i barazimit u realizua nga një prej këtyre talenteve, Kevin Hoxha, duke vulosur një paraqitje shumë premtuese për të ardhmen.
Ky grup futbollistësh ka spikatur prej kohësh në ekipet e moshave dhe, me ardhjen e Maganit në stol, ka nisur të marrë gjithnjë e më shumë hapësira edhe në ekipin e parë. Ndër emrat më premtues spikasin veçanërisht Haxhi Rrena dhe Skerdi Puqja, dy lojtarë që kanë marrë më shumë minuta gjatë këtij sezoni në Kategorinë e Parë dhe që shihen si tthemelet mbi të cilën mund të ndërtohet e ardhmja e futbollit kavajas. Besa duket se ka nisur të ndërtojë me baza të shëndosha për të ardhmen. Nëse këtyre të rinjve u jepet vazhdimësi, besim dhe menaxhimi i duhur, Kavaja mund të rikthehet shumë shpejt në nivelet që historia e saj e futbollit i kërkon. Akademia po flet qartë, e ardhmja verdhezi është tashmë në fushë.
Trajneri Magani
Pas ndeshjes ndaj Korabit, trajneri Gugash Magani u shpreh i kënaqur me paraqitjen e të rinjve dhe theksoi se ata treguan potencial të madh. “Për shkak të dëmtimeve dhe pezullimeve ishim të detyruar të luanim me një formacion ku dominonin lojtarët e akademisë. Përballë një Korabi me formacionin titullar nuk arritëm të fitonim, por këta djem bënë shumë mirë. Mbeta i kënaqur nga angazhimi, lufta dhe serioziteti i tyre. Natyrisht kanë shumë punë përpara, por në këtë ndeshje treguan se, nëse vazhdojnë të punojnë, nesër mund të jenë titullarë të kësaj fanelle, ashtu si paraardhësit e tyre, legjendat e Besës”, deklaroi tekniku peqinas për “Panorama Sport”.
Talentet që po spikasin te Besa
Valentin Daja
I lindur më 17 shkurt 2006, luan si mbrojtës i majtë. Në këtë sezon ka zhvilluar 12 ndeshje me Besën.
Skerdi Puqja
I lindur më 27 janar 2005, mesfushor qendror. Ka luajtur 10 ndeshje në Kategorinë e Parë dhe ka shënuar 1 gol.
Kevin Hoxha
I lindur më 2 gusht 2006, mesfushor. U aktivizua për herë të parë fundjavën e kaluar ndaj Korabit dhe shënoi menjëherë golin e barazimit.
Junos Guhacaj
I lindur më 10 qershor 2008, mesfushor. Numëron 6 ndeshje me ekipin e parë në këtë sezon.
Adriel Selimi
I lindur më 1 janar 2008, mesfushor. Debutoi këtë fundjavë ndaj Korabit në Kategorinë e Parë.
Haxhi Rrena
I lindur më 18 janar 2010, sulmues. Ka luajtur 9 ndeshje në këtë sezon dhe ka realizuar 3 gola, duke u shfaqur si një nga talentet më premtuese të klubit.
FERIZ FERIZAJ- PANORAMASPORT.AL
Diçitura e fotos
Gjashtë lojtarë e akademisë së Besës që u aktivizuan ndaj Korabit. Nga e majta në të djathtë: Junos Guhacaj, Adriel Selimi, Kevin Hoxha, Skerdi Puqja, Valentin Daja, Haxhi Rrena.
PANORAMASPORT.AL













