Berati pa shah, nga titujt kombëtarë te mungesa totale e infrastrukturës. Flet Angjello Mici
Ndryshe nga dhjetëra sporte të njohura në qytetin e Beratit, të cilët po veniten jo vetëm për shkak të mungesës së interesit nga strukturat dhe institucionet përgjegjëse të sportit dhe pushtetit lokal, por mbi të gjitha për shkak të mungesës së infrastrukturës së nevojshme për zhvillimin dhe mbijetesën e tyre, edhe sporti i shahut nuk bën përjashtim nga ky realitet i zymtë.

Kjo problematikë, gjithnjë e më shumë e pranishme në opinionin sportiv beratas, po sjell me të drejtë shqetësimin për fshirjen e shahut nga tradita dhe harta e sporteve të njohura të qytetit. Duke analizuar historinë e sportit në Berat për më shumë se një shekull, nëpërmjet dokumenteve arkivore brenda dhe jashtë vendit, rezulton se shahu është ndër sportet më të hershme të qytetit, me rrënjë që datojnë që nga periudha e qëndresës ndaj Perandorisë Osmane. Madje, sipas disa studimeve të historianit Marin Barleti, dëshmohet qartë se në Berat është luajtur shah, një traditë që është pasuruar ndër shekuj. Në shekullin e kaluar, sidomos para viteve ’90, shahu në Berat njohu një masivizim të jashtëzakonshëm. Në atë kohë, qyteti kishte një jetë aktive sportive në këtë disiplinë, ku ekipi i shahut “Tomori” renditej ndër më të mirët në Shqipëri. Ai është shpallur kampion kombëtar në garat ekipore, ndërsa shahisti Llambi Qëndro fitoi dy tituj kampion kombëtar në garat individuale.
Sot, për fat të keq, ky realitet është zhdukur. Ekipi “Tomori” nuk ekziston më në shah, ndërsa mungesa e një salle të dedikuar e ka shuar pothuajse plotësisht këtë sport. Ajo sallë dikur grumbullonte qindra adhurues të shahut. Një figurë e njohur e këtij sporti, ish-trajneri Angjello Mici, në një prononcim për “Panorama Sport”, ka folur mbi rënien e këtij sporti në Berat.
“Mund ta them me bindje të plotë se, bazuar në dokumentet zyrtare të kohës, në qytetin e Beratit është luajtur shah që në kohën e Skënderbeut. Kjo dëshmohet nga dorëshkrimet dhe arkivat e Venedikut. Por ajo që na shqetëson sot ne, ish-trajnerët, është fakti se sporti i shahut nuk ekziston më në Berat, edhe pse, çuditërisht, në borderotë e klubit figuron ende dhe paguhet rregullisht. Dikur kishim kampionate lokale dhe finalet e kampionatit kombëtar individual ndiqeshin nga më shumë se 400 pjesëmarrës në Pallatin e Kulturës. Jo vetëm kaq, por ishim edhe kampionë kombëtarë në garat ekipore dhe individuale.
Tomori ka pasur talente të mëdhenj si Llambi Qëndro, dy herë kampion i Shqipërisë, si dhe të rinj premtues si Arben Dardha dhe Fatjon Petriti, të cilët kanë përfaqësuar denjësisht Shqipërinë edhe në arenën europiane. Një emër i madh për shahun beratas ka qenë edhe trajneri Bardhyl Dardha, i cili, përveç sukseseve brenda vendit, pas viteve ’90 shpalli kampionë Europe djalin dhe nipin e tij. Sot, fatkeqësisht, gjithçka ka marrë fund. Mungon një sallë shahu, një vend ku ky sport të rigjallërohet.
I bëj thirrje publike Bashkisë së Beratit të reflektojë për këtë situatë absurde, ku nga njëra anë shahu figuron në pagat zyrtare, ndërsa nga ana tjetër nuk ekziston në praktikë. Është e pafalshme që një qytet me një traditë shekullore dhe figura të shquara të shahut, të harrohet në këtë mënyrë”, shprehet Angjello Mici.
EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL













