Barjamaj karikon Vorën: Me Egnatian, nuk ka rrugëdalje përveçse fitores

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 10, 2026 | 22:27

Barjamaj karikon Vorën: Me Egnatian, nuk ka rrugëdalje përveçse fitores

Lidhur me takimin kundër Egnatias, kemi marrë një prononcim nga zëvendëskapiteni i Vorës, Mario Barjamaj. Siç dihet, Barjamaj ka shkëlqyer gjatë këtij sezoni në rolin e mesfushorit me tipare sulmuese, duke dhënë edhe dy asistime në 19 ndeshjet që ka luajtur këtë sezon me Vorën.

barjamaj

27- vjeçari kryeqytetas mendon se Egnatia është një skuadër mjaft e fortë, por beson se këtë herë Vora mund ta mposhtë, duke shfrytëzuar faktin që luan në shtëpi.

EGNATIA – “Sigurisht, duke qenë zotër të shtëpisë, duhet të sillemi si të tillë dhe të mos lejojmë askënd të bëjë ligjin në shtëpinë tonë. Kjo do të thotë vetëm fitore. Fitorja për ne është një detyrim, aq më tepër që luajmë përpara tifozërisë sonë. Duhet të futemi në fushë shumë të fokusuar dhe më pas të shohim se çfarë do të na sjellë ndeshja.

Normalisht që ndaj Egnatias futemi në fushë me një objektiv të vetëm, fitoren. Mendoj se i kemi të gjitha mundësitë për ta kaluar me sukses këtë ndeshje. Kurrsesi nuk mund të them se kemi më pak cilësi se Vllaznia. Janë përballje ku kërkohet qetësi para portës, sepse kur shënon, morali rritet dhe gjithçka bëhet më e lehtë për të mposhtur kundërshtarin”.

STËRVITJA – Ne kemi punuar shumë gjatë këtij sezoni dhe jo më kot kemi lënë pas ekipe elitare me përvojë në Superiore, si Tirana, Flamurtari apo Bylisi, duke pasur parasysh se ky është sezoni ynë i parë. Mendoj se seancat stërvitore të planifikuara për këtë ndeshje do të na ndihmojnë të korrigjojmë gabimet që bëmë ndaj Vllaznisë, kryesisht mungesën e qetësisë para portës, pasi krijuam shumë raste, por nuk arritëm të shënonim. Shpresoj që Vora ta tregojë veten në fushë, sepse cilësia e kampionatit është e barabartë për çdo skuadër”.

KAPITEN – “Sa i përket paraqitjeve të mia, është e vërtetë që po luaj në rolin tim të zakonshëm dhe trajneri Bellaj ma ka përshtatur këtë rol edhe në skuadër. Kjo më ka dhënë mundësi të jem më aktiv në lojë. Për mua është e rëndësishme të mos mendoj në planin personal, por mbi të gjitha të kontribuoj për grupin. Vora funksionon si ekip dhe cilësitë tona duhet t’i shërbejnë kolektivit.

Këtë gjë kam bërë dhe për këtë arsye jam aty ku jam sot. Edhe pse në shumë ndeshje gjykimet kanë ndikuar negativisht, ne kemi arritur t’ia dalim dhe do t’ia dalim sërish. Vora nuk bie nga kategoria”, mbyll ai.

ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL