Barazuan me Lushnjën me shumë mungesa, zv.trajneri Haxhiu: Donim fitoren, ja pse i vlen pika Besës
Besa u përball në javën e fundit ndaj Lushnjës në një sfidë të vështirë, të shoqëruar jo vetëm nga mungesa të rëndësishme në formacion, por edhe nga zëra të shumtë që aludonin për një “lëshim” të mundshëm.

Megjithatë, skuadra kavajase tregoi karakter në fushë dhe arriti të marrë një barazim pa gola, që në fund rezulton një pikë mjaft e vlefshme për objektivat e sezonit. Problemet për Besën nisën që para ndeshjes. Përveç mungesave në fushë, skuadra kishte edhe një boshllëk të rëndësishëm në stol, pasi trajneri Gugash Magani ishte i pezulluar pas kartonit të kuq të marrë në javën e 29-të në Gjirokastër. Po ashtu, të ndëshkuar mungonin edhe Spahiu dhe Çinuendu. Lista e mungesave ishte e gjatë, portieri Abdullahu, Beqja, Spahiu dhe Çinuendu nuk ishin të gatshëm që në fillim, ndërsa gjatë pjesës së parë u dëmtua edhe Edon Hasani. Në këto kushte, stafi teknik u detyrua t’i besojë disa lojtarëve shumë të rinj, të moshave 16-18 vjeç, të cilët dhanë maksimumin në fushë dhe mbajtën skuadrën në lojë.
Nga ana tjetër, Lushnja vinte me nevojën jetike për fitore, por nuk arriti të shfrytëzojë avantazhin përballë një kundërshtari të cunguar. Takimi i zhvilluar në Luz të Vogël u mbyll në shifrat 0-0, rezultat që i shërben më shumë Besës në garën për një vend në zonën “play-off”. Pas ndeshjes, për “Panorama Sport” foli zëvendëstrajneri Fidaim Haxhiu, i cili theksoi vështirësitë me të cilat u përball skuadra: “Ishim të detyruar të luanim me plot katër mungesa që në fillim: Abdullahu, Beqja, Spahiu dhe Çinuendu. Më pas na u dëmtua edhe Edon Hasani në pjesën e parë dhe në këto kushte u detyruam të aktivizonim lojtarë shumë të rinj, 16-18 vjeç, të cilët bënë maksimumin e tyre. Sigurisht që do të na kënaqte fitorja, por përballë një Lushnje me formacion të plotë dhe duke parë mungesat tona, besoj se barazimi nuk është një rezultat i keq”.
FERIZ FERIZAJ- PANORAMASPORT.AL













