Barazimi përjetohet si humbje te Flamurtari, Ribaj karikon vlonjatët: Luftojmë deri në fund

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 14, 2026 | 10:40

Barazimi përjetohet si humbje te Flamurtari, Ribaj karikon vlonjatët: Luftojmë deri në fund

Andi Ribaj e vlerëson si një sfidë të vështirë përballjen me Egnatian, por jo të pamundur për t’u kaluar me sukses. Përballë një skuadre kampione dhe të konsoliduar, vlonjatët pritet të hyjnë në këtë javë përgatitore me një intensitet të lartë pune, duke synuar mbi të gjitha reduktimin e gabimeve që kanë kushtuar në ndeshjet e fundit.

ribaj

Fryma në skuadër mbetet pozitive dhe e orientuar drejt një reagimi të menjëhershëm, teksa objektivi është i qartë: arritja e një rezultati pozitiv në një ndeshje që konsiderohet vendimtare për vijimësinë. Në prag të kësaj përballjeje, theksi vihet tek mobilizimi maksimal dhe përqendrimi i lartë, elementë që pritet të jenë kyç në përballjen ndaj një kundërshtari të fortë.

Stafi teknik kërkon një skuadër më të disiplinuar në lojë dhe më të kujdesshme në momentet vendimtare, duke qenë se detajet e vogla mund të bëjnë diferencën në ndeshje të tilla. Gjatë një prononcimi për mediat, trajneri Ribaj thekson se lufta do të vijojë deri në fund dhe se këtë javë do të synohet një rezultat pozitiv. “Me Egnatian do të jenë një ndeshje e fortë. Është një ekip kampion dhe një skuadër shumë e mirë. Do të stërvitemi gjatë javës që të minimizojmë gabimet që kemi bërë dhe të vazhdojmë luftën deri në fund”, shprehet fillimisht Ribaj.

BARAZIMI ME VORËN – Barazimi ndaj Vorës ka lënë gjurmë në kampin vlonjat, jo vetëm për mënyrën si erdhi rezultati, por edhe për faktin se bëhej fjalë për një përballje direkte. Edhe pse skuadra reagoi dhe krijoi mundësi për të marrë maksimumin, mungesa e efikasitetit dhe disa episode të pafavorshme ndikuan në përfundimin e takimit. Kjo ndeshje shërben tashmë si një pikë reflektimi për të korrigjuar gabimet dhe për të rritur nivelin e performancës në sfidat e mbetura.

Andi Ribaj është i mërzitur për mundësinë e humbur me Vorën, pasi barazimi nuk ishte një rezultat i pritshëm. “Kishim një ndeshje finale me Vorën. Ishte për ne një rival direkt. E filluam përsëri ndeshjen keq. U ndëshkuam dhe pësuam një gol për mungesë përqendrimi. Megjithatë djemtë reaguan si në pjesën e parë ashtu edhe në pjesën e dytë. Krijuam raste për ta fituar ndeshjen. Mendoj se i bëm të gjitha por rezultati pastaj në fund nuk ishte në favorin tonë dhe ndeshja përfundoi sikundër ju e dini”, shprehet Ribaj.

VAZHDIMËSIA – Në këtë fazë të sezonit, çdo ndeshje merr një peshë të veçantë dhe hapësirat për gabime janë gjithnjë e më të vogla. Situata është bërë më delikate, por brenda grupit ekziston bindja se skuadra ka ende potencial për të reaguar dhe për të ndryshuar rrjedhën e rezultateve. Trajneri Andi Ribaj thotë se situata tashmë bëhet edhe më e vështirë.

Por tekniku thekson se do të takojë lojtarët prej të cilëve do të kërkojë angazhim maksimal. Vëmendja është përqendruar tek rikuperimi psikologjik dhe fizik i lojtarëve, si dhe tek rritja e përgjegjësisë individuale në fushë. Në këto pak ndeshje të mbetura skuadra vlonjate synon të japë maksimumin deri në fund, duke shpresuar te paraqitjet e mira ndaj kundërshtarëve.

“Normalisht që pas humbjes me Vorën, bëhet e vështirë për vazhdimësinë. Unë do të flas me lojtarët që në këto ndeshje që kanë mbetur të bëjnë maksimumin dhe të jenë sa më të përqendruar. Duhet të rikuperojmë. Unë mendoj se i kemi forcat për të ndryshuar pasi me ndeshjet e skuadrave kryesuese ne kemi zhvilluar ndeshje shumë të mira”, përfundon Ribaj.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL