Barazimi me gola, “Demat” e Partizanit kthehen pas në kohë
Partizani e ndali hapin e pesë fitoreve radhazi teksa të kuqtë nuk shkuan më shumë se një barazim 2-2 në transfertë ndaj Vorës duke u ngjitur në kuotën e 43 pikëve. Kryeqytetasit, barazuan vetëm në limitin e takimit si për t’i kthyer reston Vorës që i “ngriu buzëqeshjen” Partizanit në fitoren “in extremis” në fazën e tretë.

Ky barazim, mori edhe më shumë vlera për “Demat e Kuq” pas ndalesës së Dinamos ndaj Teutës, duke shkuar kështu në katër pikë distancë ndaj bluve që mbeten në vendin e pestë me 39 pikë. Ndërkohë, në takimin ndaj Vorës, Partizanit duket se iu rikthyen “makthet” e së të kaluarës duke qenë se golat e skuadrës së Vorës erdhën si pasojë e gabimeve individuale e lojtarëve të të kuqve, sidomos atyre të repartit difensiv pas ekekutimit të goditjeve të ndaluara nga kundërshtarët.
Kujtojmë se në pesë javë kur Partizani mori pesë fitore radhazi, skuadra pësoi vetëm dy gola, ndërsa me Vorën u ndëshkuan me shumë lehtësi e që patjetër ato gola mund edhe të ishin shmangur. Barazimi i fundit për Partizanin në kampionat daton më 31 janar, e pikërisht edhe në atë ndeshje të kuqtë barazonin po me shifrat 2-2 ndaj Elbasanit në “Arenën e Demave”.
Në atë takim, Partizani udhëhiqte me rezultatin 2-1, por sërish nga një goditje standarte pësuan golin e barazimit nga Lajthia. Në këtë formë, të kuqtë duhet të tregojnë më shumë vëmendje nga këto goditje standarte teksa e radhës në kampionat për Partizanin është ndeshja me Teutën.
Durrsakët vijnë nga një rezultat pozitiv e do të kërkojnë t’i japin vazhdimësi fitores së fundit, megjithatë te kryeqytetasit nuk ka kohë për hapa fals pasi objektivi për të qenë pjesë e “Final Four” kërkon ende pikë të rëndësishme për t’u siguruar. Partizani ka një bilanc pozitiv këtë sezon me Teutën teksa në tre ndeshjet e mëparshme, iu ka marrë durrsakëve shtatë pikë, falë dy fitoreve 2-3 dhe 2-1 si dhe një barazimi pa gola në fazën e parë të kampionatit.
PANORAMASPORT.AL













