Ballshiotët skanojnë blutë, Josa lëviz çdo gur për surprizën
Bylisi është stërvitur në fushën e blertë, ndërkohë që stafi dhe skuadra kanë analizuar edhe kundërshtarin e radhës. Mallakastriotët kanë parë me kujdes sfidën që blutë zhvilluan në Durrës. Siç dihet, kalendari i ka vënë përballë Dinamos, në një ndeshje që do të luhet të dielën, në orën 16:00, në stadiumin “Selman Stërmasi”.

Trajneri Mirel Josa, së bashku me stafin e tij, po lëviz çdo gur për të ndërtuar një skuadër që mund t’i prishë punë Dinamos. Bylisi, me vetëm 2 pikë në tri javë, nuk ka marrë as gjysmën e pikëve të parashikuara. Megjithatë, në kampin mallakastriot mbizotëron optimizmi, pasi synojnë surprizën. Pritet gjithashtu që të jetë gati për lojë edhe anësori Peralta, një pikë e fortë në krahun e majtë, sidomos në fazën ofensive.
TESTIMET – Në ndeshjen që skuadra “B” zhvilloi të mërkurën në Ballsh ndaj Tomorit, u aktivizuan dhe morën minuta disa lojtarë të ekipit të parë. Ky test ngjalli interes për vetë faktin se synimi është t’u jepen sa më shumë minuta lojtarëve të afruar së fundmi. Te mallakastriotët, merkaton e kanë shtyrë deri në limite, dhe shpresat janë vendosur te sulmuesit Rabiu dhe Uankeuai, ky i fundit falë eksperiencës dhe karrierës që ka zhvilluar në disa shtete europiane. Bylisi ka bërë pak ndryshime në 11-shen bazë, por skuadra ka vuajtur sidomos në shënimin dhe pësimin e golave.
Për këtë arsye, Josës dhe stafit të tij u është dashur të punojnë fort në seancat stërvitore me prova të shumta para Dinamos, duke vënë përballë sulmin me mbrojtjen dhe anasjelltas. Nuk do të ishte çudi të shihen lëvizje në formacion dhe ndryshime skemash, duke pasur parasysh forcën dhe cilësinë që ka në gjirin e vet Dinamo. Megjithatë, Bylisi është një skuadër që ka ditur t’u shkaktojë surpriza edhe ekipeve me pretendime apo që kanë mbajtur vendet e para në renditje.
ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL













