Apolonia si OKB, drejtori indian e ka me gjykimin. 25-vjeçari është “qershia mbi tortë” e bardhejeshilëve
Apolonia konsiderohet sot si një nga skuadrat më kozmopolite në futbollin shqiptar. Të huajt dominojnë pothuajse në çdo hallkë të klubit, duke krijuar në Fier një “koloni” të vërtetë ndërkombëtare.
Në përbërjen e skuadrës mbizotërojnë futbollistët afrikanë, kryesisht nga Nigeria, të cilët janë të pranishëm jo vetëm në ekipin e parë, por edhe te ekipet e moshave. Përveç tyre, te Apolonia aktivizohen lojtarë nga Gana, Irlanda, Kolumbia dhe Norvegjia. Ndërkohë, në akademi gjen edhe brazilianë dhe futbollistë afrikanë nga vende të tjera. Edhe stafi teknik ka profil ndërkombëtar. Ai drejtohet nga trajneri serb Marko Jovanoviç, ndërsa pjesë e stafit është edhe nigeriani i natyralizuar si shqiptar, Nuredin Orelesi.
DREJTORI INDIAN Por “qershia mbi tortë” e selisë ndërkombëtare në Fier është drejtori teknik dhe sportiv, një profil që pak kush e priste në futbollin shqiptar. Bëhet fjalë për Noor Alam, vetëm 25 vjeç, i ardhur nga India. Alam iu bashkua Apolonisë gjatë verës dhe ka firmosur një kontratë trevjeçare me presidentin Koço Kokëdhima. Ai mban njëkohësisht dy poste të rëndësishme, drejtor teknik dhe drejtor sportiv, si për ekipin e meshkujve ashtu edhe për atë të femrave. Drejtori indian e ka marrë me shumë entuziazëm detyrën në Fier, gjë që reflektohet edhe në aktivitetin e tij të vazhdueshëm në rrjetet sociale. Reagimi më i fundit erdhi pas humbjes 1- 0 ndaj Kastriotit në Vorë, ku ai publikoi pamje filmike duke denoncuar aksionin e golit të krutanëve dhe duke pretenduar për pozicion jashtë loje të sulmuesit Dejvid Kapllani. Ja reagimi i Noor Alam pas humbjes me Kastriotin.
“E kuptoj që gjyqtarët bëjnë gabime njerëzore, por kur disa gjëra vazhdojnë të ndodhin ndeshje pas ndeshjeje, është e natyrshme të pyesësh: a është kjo e drejtë? Ky klip është vetëm një ‘gabim’ nga kjo ndeshje që na kushtoi humbjen 1-0”. Një ditë më vonë, drejtori indian tentoi të ulë tensionin dhe të motivojë skuadrën fierake për vazhdimësinë e sezonit. Ja postimi i fundit i trajnerit të Apolonisë: “Me këmbë në tokë dhe kokën lart, duke synuar qiellin, ne vazhdojmë përpara. Ne vazhdojmë të besojmë, vazhdojmë të luftojmë. Kokën lart, FK Apolonia”. Më herët ka qenë trajneri Marko Jovanoviç, i cili përmes një prononcimi në “Panorama Sport” rreshtoi gabimet e gjyqtarëve kundër Apolonisë. Drejtuesit fierakë pretendojnë se deri në këtë pikë të kampionatit Apolonia është penalizuar në shumë raste nga “xhaketat e zeza”, që sipas tyre ekipit i mungojnë 15 pikë.
NDAJ POGRADECIT Në javën e 24-t, Apolonia do të luajë në shtëpi përballë Pogradecit, një kundërshtar i fortë që synon ngjitjen direkte në Superiore. Fierakët, nga ana e tyre, janë të detyruar të reagojnë dhe të marrin pikët e para në fazën e tretë. Objektivi minimal mbetet i qartë: sigurimi i pikëve të nevojshme për mbijetesë në Kategorinë e Parë pa kaluar në ndeshjet shtesë. Nëse “legjioni” ndërkombëtar do ta përmbushë këtë mision, mbetet për t’u parë në fushën e lojës.
ILIR CARA-PANORAMASPORT.AL













