Apolonia shkarkon trajnerin Jovanoviç pas dështimit historik, “timonieri” i ri pritet nga Kosova
Apolonia ka prekur një nga pikat më të ulëta në historinë e saj, pasi fierakët zbritën në mënyrë të befasishme në Kategorinë e Dytë. Një skuadër që fitoren e fundit e kishte regjistruar më 3 dhjetor 2025, ishte thuajse e destinuar për t’u rrëzuar në nivelin inferior të futbollit shqiptar.

Ky dështim ka rritur ndjeshëm zemërimin te tifozët dhe ish-futbollistët e Apolonisë. Klubi pritet të pësojë ndryshime të thella, pasi zbritja në Kategorinë e Dytë nuk konsiderohet thjesht dështim, por një goditje e rëndë për historinë e tij. Pas rënies nga kategoria, drejtuesit kanë bërë lëvizjen e parë të rëndësishme, duke shkarkuar trajnerin serb Marko Jovanoviç. Burime për “Panorama Sport” bëjnë të ditur se vendimi i është komunikuar trajnerit ditët e fundit, ndërsa klubi ka gjetur menjëherë edhe pasuesin e tij.
Trajneri i ri- Në pankinën e Apolonisë pritet të ulet trajneri nga Kosova, Besart Cecelia, i cili do të marrë drejtimin e skuadrës me objektivin e qartë, ndërtimin e një ekipi konkurrues dhe rikthimin e menjëhershëm në Kategorinë e Parë. Zbritja në një kategori më poshtë ka detyruar drejtuesit të reagojnë shpejt, duke i besuar Cecelias një mision të vështirë, ringritjen e futbollit fierak. Kush është trajneri i ri? Besart Cecelia ka lindur më 23 nëntor 1977 në Vushtrri. Karrierën si futbollist e përfundoi në sezonin 2009/2010 me Trepçën e Mitrovicës, ku menjëherë më pas mori drejtimin e ekipit U-19, detyrë që e mbajti deri në vitin 2012. Në vitin 2012 themeloi shkollën e futbollit “El Clasico” në Vushtrri, ku punoi si koordinator me të gjitha grupmoshat deri në U-17, deri në vitin 2019.
Në të njëjtin vit, së bashku me kolegun Shpëtim Idrizi, mori drejtimin e Trepçës ’89 në Superligë, ku qëndroi për dy sezone, deri në vitin 2021. Në sezonin 2021/2022 u emërua trajner i Vllaznisë së Pozheranit në Kategorinë e Parë, ndërsa në edicionin 2022/2023 drejtoi Arbërinë e Dobrajës në të njëjtin kampionat. Në sezonin 2024/2025 shërbeu si drejtor te Vushtrria, duke arritur sukses me ekipin U-19 në Superiore. Në vitin 2025 mori drejtimin e FC Sharrit nga Hani i Elezit, ndërsa në fillim të vitit 2026 drejtoi Vorën U-19 dhe më pas kaloi te Basania në Kategorinë e Dytë. Me një eksperiencë të gjerë në futbollin e të rinjve dhe atë profesionist, Cecelia shihet si një trajner me potencial për të udhëhequr Apoloninë në një fazë të re, me synimin për ta rikthyer klubin aty ku i takon.
ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL













