Apolonia në buzë të greminës, Iliria vendos fatin e fierakëve
Iliria i pret me qetësi dy javët e fundit të kampionatit, pasi fushëkrujasit e kanë siguruar matematikisht pjesëmarrjen në fazën “play off”. Krejt ndryshe paraqitet situata te kundërshtari i radhës, Apolonia, që do të luajë sot në stadiumin “Redi Maloku” një ndeshje jetike për mbijetesën. Fierakët ndodhen në një moment tepër delikat, pasi janë shumë pranë rënies në Kategorinë e Dytë, një skenar që do të përbënte një dështim të rëndë për futbollin fierak.

Përballë tyre do të jetë një Iliri e qetë në renditje, por me mundësinë reale për të ndikuar drejtpërdrejt në fatin e rivalëve. Dy skuadrat vijnë në këtë përballje me gjendje morale krejt të kundërta. Iliria vjen pas një fitoreje bindëse në transfertë, ku mposhti 3-0 Lushnjën në stadiumin “Roza Haxhiu”, duke e zhytur skuadrën verdhejeshile në fundin e renditjes. Tashmë fushëkrujasit kanë në dorë fatet e mbijetesës së Apolonisë, pasi një humbje tjetër do t’i linte fierakët pothuajse pa shpresa, duke vulosur një sezon katastrofik.
Situata bëhet edhe më alarmante për Apoloninë, pasi skuadra ka humbur prej kohësh shijen e fitores. Fierakët nuk kanë arritur të marrin tri pikë që nga fillimi i muajit dhjetor, duke regjistruar mbi katër muaj e gjysmë pa fitore, një tregues i qartë i krizës së thellë që ka përfshirë ekipin. Edhe në aspektin e mungesave, të dy skuadrat do të kenë nga një lojtar të pezulluar për shkak të plotësimit të numrit të kartonëve të verdhë. Te Iliria do të mungojë sulmuesi Santiago Rodriguez, ndërsa te Apolonia nuk do të jetë kapiteni dhe mbrojtësi Erisildo Asllanaj.
MYZEQEJA NË KRIZË
Kjo sfidë pritet të jetë ndër më interesantet e javës, pasi jo vetëm Apolonia, por edhe ekipet e tjera të përfshira në garën për mbijetesë do ta ndjekin me shumë vëmendje. Ashtu si javën e kaluar ndaj Lushnjës, Iliria mund të rezultojë sërish vendimtare në luftën për qëndrimin në Kategorinë e Parë. Aktualisht, Apolonia mban vendin e parafundit me 27 pikë, vetëm një pikë më shumë se Lushnja e vendit të fundit, ndërsa është një pikë prapa Kukësit dhe Luftëtarit, që ndodhen në zonën “play out”.
Në varësi të rezultateve të kësaj jave, ekziston edhe një skenar dramatik për futbollin myzeqar. Nëse Apolonia dhe Lushnja nuk arrijnë të fitojnë, ndërsa Luftëtari dhe Kukësi marrin tri pikët, atëherë të dy skuadrat myzeqare mund të bien matematikisht në Kategorinë e Dytë, duke vulosur një fund të hidhur për dy klube me histori. Ndeshja e sotme është shumë më tepër sesa një përballje e zakonshme kampionati. Për Ilirinë është një sfidë për prestigj, ndërsa për Apoloninë është beteja e fundit për të mbajtur gjallë shpresat e mbijetesës.
PANORAMASPORT.AL













