Apolonia, kapiteni Rudin Nako premton besnikëri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 19, 2014 | 9:39

Apolonia, kapiteni Rudin Nako premton besnikëri

Apolonia ekipSkuadra fierake vazhdon stërvitjet fakultative, në mënyrë që lojtarët të mos humbasin formën e tyre fizike. Kapiteni dhe mbrojtësi i Apolonisë, Rudin Nako, në një intervistë për “Panorama Sport”, ka folur për suksesin e skuadrës së tij në sezonin që lamë pas, si dhe për të ardhmen.
Si ishte për Apoloninë sezoni që sapo përfundoi?
Ka qenë një sezon i gjatë e i lodhshëm, që ka pasur luftë të fortë sportive dhe rivalitet. Ky vit nuk i ka shpëtuar edhe lojës së rëndë apo paragjykimeve nga faktorë të tjerë, për të cilat është folur mjaft gjatë kampionatit. Kemi luajtur në shumë fusha, që vetëm fusha futbolli nuk janë. Gjithsesi, jemi shkëputur që në fillim hera herës dhe duke kryesuar klasifikimin, duke mos e vënë për asnjë moment në diskutim ngjitjen në elitë, ç’ka na lumturoi pa masë, pasi arritëm objektivin që kishim marrë. Këtë sukses e merituam, sepse kujtojmë se në fazën e parë të gjitha ndeshjet që do t’i luanim në shtëpinë tonë, i zhvilluam në fusha asnjanëse për shkak të rikonstruksionit të stadiumit. Jo vetëm unë, por të gjithë si skuadër kemi dhënë maksimumin në çdo ndeshje, pasi duhet të ngjiteshim këtu ku jemi në Superiore me çdo kusht.
Cili ishte çelësi i suksesit të Apolonisë në sezonin e fundit?
Puna e bërë në procesin stërvitor me profesionalizmin e duhur, loja në grup me moton “një për të gjithë dhe të gjithë për një”. Vlerësimi i të gjitha ndeshjeve, duke i marrë ato me radhë, pra vlerësuam çdo kundërshtar. Shpirti i lartë i garës dhe mentaliteti fitues që shpalosëm në fushën e lojës, duke mos toleruar e mos u bërë pjesë e aleancave, që në ndeshjet e fundit të kampionatit dolën hapur. Apolonia ka luajtur gjithmonë me ndershmëri, profesionalizëm e duke bërë vetëm llogarit e saj.
Grupi i lojtarëve, shumica në moshë të re, sipas mendimit tuaj, jep siguri në Superiore?
Apolonia ka një grup me lojtarë cilësorë, të cilët kanë vlera dhe kanë ardhur duke i rritur ato nga ndeshje në ndeshje. Pra, grupi e ka përfituar edhe përvojën e duhur. I rëndësishëm është fakti se drejtuesit e klubit kanë vendosur që ta ruajnë këtë grup futbollistësh. Natyrisht, jo çdo gjë ka ecur ashtu siç duhet në disa pozicione e reparte të ndryshëm, sidomos në sulm. Ndaj duhen bërë edhe disa afrime në merkaton verore, të cilat janë të nevojshme për ekipin për ta përforcuar, si dhe për të rritur konkurrencën. Unë besoj se me ruajtjen e këtij grupi dhe me disa afrime të goditura të drejtuesve tanë kjo Apoloni do të jetë një surprizë e bukur dhe e këndshme në Kategorinë Superiore.
Po Nako vetë ku do të jetë në sezonin e ardhshëm?
Edhe pse kam që tani 2-3 oferta nga ekipe të tjera të Superiores, të cilat dua t’i përshëndes për vlerësimin që kanë për mua. Si futbollist, por edhe si fierak, dëshira është që të vazhdoj të luaj me Apoloninë, pasi zemrën e kam vetëm këtu. Ndërkohe që vazhdoj të jem nën kontratë me këtë skuadër, së cilës dua t’i qëndroj tepër korrekt. Ndaj dhe sezonin e ardhshëm nuk ka asnjë diskutim që do të mbaj fanellën bardhejeshile. Prandaj kërkoj të jap një kontribut sa më të madh dhe nuk më shkon ndërmend që ta tradhtoj atë për çdo arsye. Mikel Mbriçaj