Analiza e situatës ku ndodhet Teuta, Zhongo: Dinamo sfidë e radhës, mëkat është rezultati me Vorën
Teuta barazoi 1-1 në përballjen e djeshme ndaj Vorës, në një ndeshje ku ekipi durrsak tregoi dominim të qartë, veçanërisht gjatë pjesës së parë. Goli i avantazhit erdhi në minutën e 33-të, pas një goditje këndi të ekzekutuar saktë nga Higor Vidal.

Në vijim, Zhongo goditi me kokë dhe topi, pas devijimit të Shehit, përfundoi në rrjetë autogol që i dha epërsinë Teutës. Pjesa e parë u dominua nga djemtë tanë, me kontroll të lojës dhe disa tentativa të rrezikshme. Qendërmbrojtësi Vasili Zhongo, në një prononcim për “Panorama Sport”, analizon situatën ku ndodhet Teuta, si dhe për rëndësinë që ka ndeshja me Dinamon.
Vasil, sa keqardhje keni që nuk morët tri pikë ndaj Vorës? Bëmë një ndeshje pozitive. U futëm për ta fituar takimin dhe e vetmja gjë që nuk shkoi ishte goli. E dinim që ishte një ndeshje e vështirë, por kishim pritshmëri maksimale. Mund të shënonim më shumë në pjesën e parë po të kishim pasur pak më shumë qetësi, apo edhe sikur të kishim pasur më shumë fat, por ishim të pafat dhe për ketë me vjen keq sepse meritonim tri pikë.
Ka Teuta kapacitetet për gjërat e mëdha? Jemi bërë shumë ekip i fortë. Janë shumë çuna të mirë, stërvitemi fortë dhe kemi ekip shumë të mirë. Të dielën kemi barazuar 1-1. Kemi bërë më shumë raste, por kështu ndodh në futboll. Duhet të mbajmë kokën lartë dhe të fitojmë shumë ndeshje bashkë.
Vetëm 48 orë kohe dhe prisni Dinamon, është ky momentin për tri pikët? Nëse japim maksimumin e mundësive që kemi dhe bëjmë lojën tonë, besoj te fitimi i ndeshjes, pavarësisht vështirësisë që paraqet. Jemi të detyruar të fitojmë çdo ndeshje. Presioni është normal për një ekip që pretendon. Gjithsesi, e rëndësishme është të marrim pikët maksimale, më pas do të shikojmë. Tashmë jemi të përqendruar vetëm te ndeshja e radhës ndaj Dinamos.
Si e shihni sfidën ndaj Dinamos? Si çdo sfidë të radhës. Në këto javë ndeshjet kanë treguar që nuk ka sfida të lehta. Ekipet janë aty-aty në performancë. Dinamo ka një ekip me eksperiencë. Ndërsa motivimi ynë është i lartë se në fund të fundit, çdo ndeshje është e barabartë me 3 pikë. Ku e sheh Teutën këtë sezon? Kampionati është i gjatë dhe ka shumë “luftë” nga çdo ekip, por fundi do ta tregojë vërtet cila është skuadra kampione.
ZAMIR QYPI-PANORAMASPORT.AL













