Alarm për Vllazninë para Partizanit! I dëmtohet titullari në ndeshjen e ekipit kombëtar
Vllaznia luan në këtë fundjavë një ndeshje shumë delikate në Superiore përballë Partizanit, në të cilën shpreson t’u kthehet edhe një herë fitoreve. Por pauza e kombëtareve ka sjellë një shqetësim për stafin e kuqebluve.

Shkak është bërë dëmtimi i Aron Jukajt, i cili ka lënë para kohe fushën e lojës në ndeshjen e Shpresave kuqezi ndaj Zvicrës. Portieri kishte luajtur titullar edhe në sfidën e mëparshme ndaj Gjermanisë dhe sot ishte përsëri në fushë nga minuta e parë.
Por ai ishte i pafat pikërisht në minutat e fundit të sfidës, kur në momentin kur shënoi një autogol, u përplas me shtyllën duke dëmtuar shpatullën. Portieri mori ndihmën e mjekëve por nuk mund të vazhdonte më dhe u detyrua të linte fushën e lojës.

Një shqetësim jo i vogël për stafin e Vllaznisë para ndeshjes me Partizanin, pasi për momentin Jukaj dukej më në formë se Pohls i cili nuk ia kishte arritur t’i merrte vendin e titullarit në katërkëndorin e kuqebluve. Shkodranët tashmë presin kthimin e Jukajt në Shqipëri, për të mësuar se sa serioz është dëmtimi i tij dhe sa shpejt mund të rikuperohet portieri.
PANORAMASPORT.AL













