“Alarm” në Vlorë, apeli i ish-trajnerit Memushi: Flamurtar, ndrysho sa nuk është vonë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 26, 2026 | 12:33

“Alarm” në Vlorë, apeli i ish-trajnerit Memushi: Flamurtar, ndrysho sa nuk është vonë

Ish-futbollisti dhe trajneri Eqerem Memushi ka një apel të fortë për Flamurtarin: ndryshimi i modulit të lojës është urgjent.

memushii

Në një prononcim për “Panorama Sport”, ish-trajneri vlonjat analizon tri ndeshjet e fundit, duke theksuar se skuadra ka lënë pikë të pafalshme. Ai e krahason ekipin në mënyrë figurative me një “vezë” që rrotullohet rreth Lorenc Trashit dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme në vendosjen taktike për të mbrojtur më mirë avantazhin. Memushi ndalet fillimisht te bilanci i dobët në kampionat: “Duke parë renditjen pas 25 javësh, ku skuadra ka grumbulluar vetëm 20 pikë, mendoj se trajneri Moriero e ka pasur kohën e duhur për të ndryshuar modulin e lojës. Na kanë ardhur ndeshje që i kishim në avantazh dhe i shpërdoruam”.

Ish-tekniku sjell si shembull konkret përballjen me Dinamon: “Me Dinamon je 1-0 dhe ndëshkohesh në minutat shtesë nga mos përqendrimi i skuadrës, nga një gol që nuk e pësojnë as ekipet e moshave. Qendërmbrojtësi i Dinamos zbret nga një e treta e fushës me dy kombinime, nxjerr dy reparte bosh dhe barazon. Kjo është e pafalshme”.

Ai e konsideron edhe më dramatike humbjen e pikëve ndaj Partizanit: “E nis ndeshjen që në minutën e 10-të me avantazh 1-0, në një moment kur pikët na duheshin më shumë se kurrë. Nuk e kuptoj si nuk u menaxhua kjo situatë”.

Memushi përdor një metaforë të fortë për mënyrën si luan Flamurtari: “Në 18 javë me Morieron, në mënyrë figurative them se ne luajmë si ‘vezë’. Nuk kemi lojë muri në boshtin e skuadrës që ta çojmë sulmin kokë lart. Loja jonë rrotullohet vetëm te Trashi. Në momentet kur kemi avantazhin, duhet të ndryshojmë modul dhe vendosje për ta mbrojtur fort tripikëshin.”

MUNGESA E MORIEROS Në ndeshjen me Partizanin, trajneri Françesko Moriero mungoi në stol për arsye shëndetësore. Memushi pranon se kjo mund të ketë pasur ndikim, por jo vendimtar. “Në rezultatin me Partizanin mund të ketë ndikuar edhe mungesa e trajnerit. Nga sa kemi lexuar, ai ishte i sëmurë. Prania e trajnerit para lojtarëve është diçka tjetër. Megjithatë, skuadra ishte përgatitur prej tij dhe rezultati tregoi se problemi nuk lidhet vetëm me mungesën e Morieros. Ne kemi luajtur me episode në këto ndeshje”.

THIRRJA PËR NDRYSHIM Në fund, Memushi jep mesazhin e tij të qartë për vijimësinë e sezonit: “Për mua, nëse nuk ndryshojnë modul loje, nuk kanë gjë në vijë. Kjo skuadër duhet të mësohet të luajë bllok në 30 metra, të dublojë njëri-tjetrin dhe çdo rast përpara ta çojë në rrjetë, ndërsa mbrapa zero. E rëndësishme është të mos pësojnë”. Mesazhi i ish-trajnerit është i prerë, Flamurtari duhet të reagojë menjëherë nëse nuk dëshiron të vazhdojë të humbasë terren në kampionat. Malorja e vlonjatëve nis nga kjo fundjave, ku kuqezinjtë luajë në transfertën e “Niko Dovan”-s ndaj Teutës.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL