Adoleshentët mbajnë mbi “ujë” Tiranën, dy 16-vjeçarë nderojnë fanellën e kryeqytetasve
Tirana luajti sot përballë Skënderbeut dhe fitoi me anë të penalltisë. Goli i minutës së 85-të i gëzoi bardheblutë, që tashmë janë jashtë zonës së ftohtë.

Me rikthimin e Bledi Shkëmbit, Tirana po punon si duhet për mbijetesën. Dy fitore me rivalët direkt, Bylis dhe Skënderbeu, si dhe barazimet ndaj Elbasanit dhe Partizanit tregojnë për besimin që skuadra ka fituar.
Pas pezullimeve të fundit në derbi, Tirana e pa veten në situatë të pazakontë. Plot 7 lojtarë të stolit ishin nga Akademia. Portieri Harizaj, Bajroviç dhe Tahiri qëndronin si të vetmit lojtarë të transferuar gjatë këtij edicioni.
Në fushë u nevojit aktivizimi i Bajroviç, Mihanës dhe Voglit që rezultuan vendimtarë. Ky i fundit fitoi penalltinë, që u shndërrua në gol nga Bajroviç.
Dhe pse janë vetëm 16 vjeç, Emiljano Mihana dhe Serxho Vogli patën impaktin e tyre të madh për fitoren e katërt në kampionat. Sot, Tirana është jashtë zonës së ftohtë edhe falë adoleshentëve që besoi.
PANORAMASPORT.AL













